Bota

Kantieret turke të anijeve nënshkruajnë marrëveshje me Forcat Detare të Katarit

Kantieret turke të anijeve kanë marrë porosi nga Katari për prodhimin e 17 anijeve.

Kantieret “ARES” dhe “Yonca-Onuk” kanë marrë porosi të reja gjatë Panairit Ndërkombëtar të Detarisë dhe Mbrojtjes në Katar (DIMDEX 2018).

Mes Ministrisë së Brendshme të Katarit dhe kantierit ARES që vepron në zonën e lirë tregtare të Antalisë, u nënshkrua marrëveshja për 9 anije, ku 3 prej tyre do të jenë anije patrullimi në det të hapur me gjatësi 48 metra secila dhe 6 anije sulmuese të mbështetjes për njësitë speciale.

Kreu i Bordit Drejtues i Kantierit ARES, Kerim Kalafatoglu bëri të ditur se anijet e patrullimit në det të hapur kanë cilësinë e anijeve më të mëdha dhe më të shpejta të prodhuara nga materialet e përbëra në botë.

Duke vënë në dukje se kjo është marrëveshja e tretë që bëhet me Katarin, Kerim Kalafatoglu tha se Katarit më herët i kanë dorëzuar 21 anije.

Gjithashtu edhe Forcat e Armatosura të Katarit nënshkruan dy marrëveshje të ndara me Kantierin Yonca-Onuk për blerjen e 4 anijeve të llojit Yonca-Onuk MRTP24/U Special Operation Craft (SOC) dhe 4 anije të llojit Yonca-Onuk MRTP24/U Fast Missile Craft (FAC).

Anija Yonca-Onuk MRTP24/U SOC është modeli më i përsosur i anijeve MRTP24/u SAT të dorëzuara më herët Forcave Detare të Turqisë.

Anijet në fjalë janë të platformës së njëjtë me dy anijet e ndërtuara për Forcat Detare Turke, për të cilat Nënsekretaria e Industrisë së Mbrojtjes kishte hapur tender.

Ndërkaq anija Yonca-Onuk MRTP24/u Fast Missile Craft (FAC) është e njëjtë me anijen Yonca-Onuk MRTP24/U Special Operation Craft (SOC) vetëm se kjo anije do të pajiset me sistemet e mbrojtjes ajrore me raketa të telekomanduara dhe me sisteme shtesë të mbrojtjes të prodhuara nga ASELSAN-i.

Anijet që do të dorëzohen do të kenë shpejtësinë maksimale 50+ km/h.

Kantieri Yonca-Onuk deri më sot për Forcat e Armatosura të Katarit dhe për Komandën e Forcave Detare të Katarit ka prodhuar dhe dorëzuar 3 anije të llojit Yonca-Onuk MRTP16 anije për ndërhyrje të shpejtë, 3 anije të llojit Yonca-Onuk MRTP34 anije të shpejta për sulm dhe 4 anije Yonca-Onuk MRTP20 anije të sofistikuara për ndërhyrje të shpejtë.

Aktualisht për Forcat Detare të Katarit vazhdon ndërtimi i 4 anijeve të llojit Yonca-Onuk MRTP20 anije të sofistikuara për ndërhyrje të shpejtë./ TRT