Rajoni

Kapen me drogë në Greqi, arrestohen dy shqiptarë pranë kufirit

Dy shtetas shqiptar janë vënë në pranga nga policia greke pas një operacioni të përbashkët me policinë shqiptare.

Policia e Shtetit, me atë të një deklarate, bën të ditur se operacioni është finalizuar si rezultat i bashkëpunimit ndërkufitar me Policinë Greke falë shkëmbimit në kohë të informacioneve të ndërsjella.

Në pranga janë vënë M. B., 23 vjeç, banues në Fier dhe S.M., 25 vjeç, banues në Berat, të cilët sipas policisë, janë kapur me 46 kilogramë e 140 gramë kanabis.

Sipas njoftimit të policisë, operacioni ka nisur 48 orë më parë nga Policia Kufitare e Livadhjasë Sarandë, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në Komisariatin e Policisë Sarandë, ku gjatë patrullimit në kufirin jeshil , Policia Kufitare ka konstatuar shtetasit që po transportonin lëndën narkotike në drejtim të shtetit Grek.

Menjëherë është njoftuar Policia Kufitare Greke dhe Antidroga, ku në bashkëpunim e koordinim të plotë mes shërbimeve tona dhe Policisë Greke është mbajtur nën vëzhgim lëvizja e tyre, ku është finalizuar me kapjen e tyre në vendin e quajtur “Koritiani Thesproti”, Igumenicë Greqi.

Burimi: Top Channel