Katoliku Gjergj Zefi, zbulon partinë turko-islamike të Erdoganit në Shqipëri

Tashmë është e qartë se Erdogan ka vendosur të dalë në zgjedhjet e 2025 në Shqipëri, me një subjekt të tijin politik, i ndarë nga Partia Socialiste. Duke shfrytëzuar erozionin djathtas, Erdogan po financon dhe po mbështet një subjekt politik që të kërkojë vota tek besimtarët muslimanë që i përkasin opozitës kundrejt Edi Ramës.

Një simpozium i zhvilluar disa ditë më parë me shkas përkujtimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, lançoi publikisht strategjinë politike dhe elektorale të erdoganistëve.

Një nga parafabrikatet e sjellë nga një neotomanizëm i vitit 2025 është Marlind Laçi, i cili në këtë “simpozium” shpalli bazën programore të erdoganistëve. Ose më saktë shënjestrën politike të tyre.

Laçi, pa asnjë lidhje historike, shkencore, e as politike, e konsideroi Lidhjen e Prizrenit një lëvizje antagoniste me Lidhjen e Lezhës që Skënderbeu krijoi në vitin e hershëm 1444. Një ‘short cut’ idiot, i cili as ka logjikë, as vijë mendimi, dhe as një kronologji zhvillimesh historiografike.

Por që duket qartë se është sjellë si një ‘provokacia’ tipike e një grupimi të ri politik që kërkon të çajë përpara me fenë, besimin, e mbi të gjitha, me urrejtjen e atyre që nuk besojnë si ai dhe shokët e tij.

Laçi, që është edhe kreu de jure i partisë së Erdoganit, fshehur në emër shoqate e që ka një emër turk- Mexhlis, tha se ndërsa Kuvendi i Lezhës ishte një Open Ballkan, Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte panshqiptare.

Një logjikë foshnjore që përbën një injorancë të thellë historike, pasi si Lidhja Shqiptare e Prizrenit, ashtu dhe Kuvendi i Lezhës kanë mbledhur të gjithë grupet që ishin gati të luftojnë osmanët, por në kohë të ndryshme.

Në kohën e Lidhjes së Lezhës, pra në vitin 1444, Osmanët ishin në nisjen e kulmit të tyre; në 1878 ishin në fund, u kishin ‘rënë brekët’ dhe po çedonin në territor ditë pas dite.

Por erdoganistët po rreken ta quajnë Lidhjen e Prizrenit, meqë u mblodh në një xhami, si një logjikë fetare, duke përdorur ‘mot a mot’ ideologjinë e Erdoganit.

Pra të gjithë klerikët e mëdhenj kanë qenë edhe patriotët më të mëdhenj. Sepse sipas tyre nuk ka atdhe pa fe. E vijojnë më pas, muslimanizmi si fe kryesore e ka shtyrë patriotizmin.

Një antifakt historik, pasi rilindasit shqiptarë nuk e bazuan fare ideologjinë e krijimit të kombit shqiptar te feja, pasi shqiptaret kishin së paku tre fe.

Madje shkolla shqipe e vashave dhe alfabeti u ndihmua e u mbështet nga një fe e re që vinte nga përtej oqeanit; Evangjelizmi.

Motrat Qiriazi por edhe Shoqëria Biblike Amerikane ishin një nga zemrat e patriotizmit shqiptar. Ndaj Pashko Vasa lëshoi devizën: Feja e Shqiptarit është Shqiptaria, që këta kopukë të Erdoganit, kujtojnë se është harruar ndër pasardhësit e Rilindasve.

Në fakt, ata e dinë mirë që nuk është harruar, por duan të ndikojnë politikisht përmes një grupimi fanatik fetar, që ekziston prej vitesh, duke i joshur që të avancojnë me logjikën e patriotizmit. E në realitet nuk se ka ndodhur sot. Dihet tashmë kënaqësia e hoxhës së Rrugës së Kavajës që dikur hynte në dhomat e lojtarëve të Kombëtares kuqezi, duke ju kënduar suret e Kur’anit të Shenjtë para ndeshjeve të rëndësishme.

Nuk janë veprime aspak të rastësishme. Siç nuk është i rastësishëm dhe zgjedhja e “guruve” politikë të partisë së re, ku siç tha kreu i Mexhlisit, njihte si mentor ish-ambasadorin e Enver Hoxhës në OKB dhe ish-deputetin e PD-së, Abdi Baleta. I cili është në fakt kryeideologu i neo-otomanëve shqiptarë.

Dy ditë më parë, muftiu i Shkodrës, Muhamet Sytari, shkruante në një postim të tijin, se bashkia dhe qeveria po kujdeseshin më shumë për të ashtuquajturat lagje katolike se ato muslimane në Shkodër. Ky ‘pamflet’ i muftiut ishte thjesht politik, siç bën shpesh ai që kërkon që këmbanarën e Kalasë së Shkodrës do ta bëjë minare. Natyrisht kjo gjuhë në Shkodrën e një mirëkuptimi mijëra vjeçarë mes feve, etnive e krahinave, nuk ecën. Por duket se çelësi ose objektivi është për të kapur një elektorat fanatik fetar, që duhet thënë: ekziston. Por ky elektorat është krejt i paqartë në konturin e ideologjisë që i përket. Pasi mes xhematit ka mjaft pluralizëm: sunitë që akuzojnë sauditët, shiitë që përkrahin iranin, apo edhe besimtarë që nuk përzihen me politikë. E këta janë shumica. Pikërisht tek këta synojnë të ecin neo-otomanët, duke i kujtuar të ashtuquajturën lavdi të kohës së Perandorisë. Një utopi pa lidhje, pasi nuk mund të kthehet një kohë pas, kur i gjithë Ballkani ishte një shtet, e ku dinastitë shqiptare patën qasje në segmente të rëndësishme të tij.

Si të thuash sot në Egjipt, që e krijoi korçari Mehmet Ali Pasha, që të kthehen privilegjet shqiptare të Misirit. Ku kolonitë e vjetra që financuan Fan Nolin janë shkrirë e tretur me kohë.

Megjithatë, duket se kemi të bëjmë me një establishment të ngjizur të partisë së re, që sipas të gjitha gjasave do të marrë emrin “Mexhlis”, pra një Lidhje po me emër turk, ku Marlind Laçi, një i llastuar i dhëndrit të Erdoganit, do të jetë kryetar. Me që ra fjala, pronari i dronëve Bajraktar është financuesi kryesor i kësaj partie. Ku si kryeideolog ka Abdi Baletën, e si ministrin e financave në hije, gjirokastritin Justinian Topulli. Dhe nga ana tjetër, muftiu i Shkodrës, zotëri Sytari, duket një kuadër tjetër i lartë.

Po t’i marrësh veç e veç, asnjëri nuk ka të sharë, si Baleta Topulli, Sytari, apo edhe rioshi Laçi që nëpër televizione prezantohet si ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare, por nuk është gjë tjetër veçse një antisemit i thekur.

Por fakt është se janë personazhe që duan të kapin lavdi me një ideologji të rrezikshme dhe të huaj për shqiptarët. Madje edhe të djegur nga koha. E pikërisht pranimi nga këta personazhe që të marrin teza të gatshme për të agresuar rrënjën e krenarisë kombëtare siç është Lidhja e Lezhës apo Rezistenca e Gjergj Kastriotit, përbën një tradhti kombëtare.

Se Shqipëria e sotme, bazohet pikërisht tek Skëndërbeu dhe Lidhja e Lezhës. Siç edhe Turqia e sotme bazohet te Mustafa Qemali. Të cilin, nëse sultan Erdogani do të guxojë ta prekë, e vrasin në vend./pamfleti

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne