Agron Shehaj, drejtues i partisë “Mundësia”, duke konentuar deklaratat e sotme të kryeministrit Rama në mbledhjen e grupit Parlamentar të PS-së, u shpreh se sot plasi lufta mes drejtësisë nga njëra anë dhe të korruptuarve nga ana tjetër.
Shehaj u bëri thirrje shqiptarëve që të vendosin se me kë janë në këto momente, me drejtësinë, apo me të korruptuarit.
Reagimi i Shehajt
“Plasi lufta. Drejtësia nga një anë, të korruptuarit nga ana tjetër. Shikoni se si Edi Rama kërcënon haptas drejtësinë :’Dhe të mos bëjnë gabim të vijnë të kërkojnë telefonin tim se ai boll i ka, ka mbledhur gjithë telefonat e Shqipërisë’.
Nga një anë kemi drejtësinë nga ana tjetër kemi të korruptuarit që po reagojnë.
Do të bëhen të gjithë bashkë. Do t’i vërsulen drejtësisë. Ka ardhur momenti të vendosim me kë jemi.
Jemi me drejtësinë, jemi me moralin,apo jemi me të korruptuarit? Jemi me hajdutët që duan të vazhdojnë të marrin pushtetin.
Nuk janë aq të pushtetshëm sa duan të tregohen. Pushteti është në duart tuaja.
E vendosni ju me votën tuaj se kush do ta qeverisë këtë vend, se kush do ta fitojë këtë betejë.
Nga një anë janë njerëzit e ndershëm njerëzit e moralshëm që punojnë çdo ditë dhe kërkojnë t’ia dalin me punën e tyre, me sakrificë dhe me këmbëngulje.
Nga ana tjetër kemi të korruptuarit që nuk kanë punuar një ditë në jetën e tyre por kanë mbijetuar vetëm nëpërmjet pazareve, korrupsionit, vjedhjeve.
Ka ardhur momenti të reagojmë, të jemi nga ana e duhur dhe të mos dorëzohemi.