Drejtësia nuk vrapon, drejtësia gjykon
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Kuvendi i Shqipërisë nuk do të shqyrtojë kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes dhe zv.kryeministres Belinda Balluku, deri në momentin që Gjykata Kushtetuese të shprehet përfundimisht mbi çështjen në fjalë.
Gjatë hyrjes së podkastit të tij, Rama theksoi se kërkesa e prokurorëve ka ardhur në një moment kur çështja e pezullimit të Ballukut është ende në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka pranuar kërkesën e qeverisë dhe ka vendosur rikthimin e saj në detyrë deri në marrjen e një vendimi përfundimtar. Sipas kryeministrit, në një shtet të së drejtës nuk mund të kërkohen masa të reja ekstreme pa u mbyllur më parë gjykimi për masën ekzistuese.
Mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet u zhvillua më 19 dhjetor, me pjesëmarrjen e 10 deputetëve, pesë nga Partia Socialiste dhe pesë nga Partia Demokratike. Në këtë mbledhje ishin të pranishëm edhe tre prokurorë të posaçëm, mes tyre drejtuesi i ri i SPAK, Klodian Braho, si dhe prokurorët e çështjes Dritan Prençi dhe Dorina Bejko.
Në deklaratën e tij, Rama u shpreh kritik ndaj asaj që e cilësoi si një “ngutje” të prokurorëve për t’iu drejtuar Kuvendit me kërkesa për masa të reja, ndërkohë që më 22 janar pritet seanca në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtimin në themel të masës së pezullimit. Ai theksoi se drejtësia nuk duhet të “vrapojë”, por të gjykojë me qetësi dhe në respekt të ndarjes së pushteteve.
Kryeministri nënvizoi se shumica qeverisëse dhe parlamentare nuk ka asnjë gjasë të shqyrtojë kërkesën e SPAK për masa të reja, pa u mbyllur më parë procesi kushtetues për masën e pezullimit, të cilën ai e quajti antidemokratike dhe antikushtetuese. “Drejtësia nuk vrapon, drejtësia gjykon”, përfundoi Rama.
Deklarata e Ramës
Jam shumë kurioz, pse prokurorët që u ngutën me një vrap mbresëlënës t’i drejtohen Kuvendit për masa ekstreme, në ditët e fundit, nuk e mbajtën parasysh që si fillim jemi në një çështje ballë për ballë në Gjykatën Kushtetuese më 22 janar ku gjykata më e lartë e vendit, duhet të gjykojë në themel çështjen e masës së pezullimit antidemokratik të një anëtari qeverie me kërkesë prokurorie.
E ngre këtë pyetje sepse në çdo vend, ku drejtësia nuk vrapon, po gjykon, ajo do të priste fundin e gjykimit për një masë, para se të kërkonte një masë tjetër, sepse shteti i të drejtës nuk është shesh as për karshillëk mes pushteteve të pavarura, as për përsheshin e një pushteti në territorin kushtetues të një pushteti tjetër. Sot, nuk e kam përgjigjen, por do të vazhdoj të lexoj, do vazhdoj të mësoj dhe do të vazhdoj të bëj të gjithë përpjekjet e mia që të kuptoj sa më mirë nga analiza e thelluar e simptomave të brutalitetit në ushtrimin e pushtetit gjyqësor, e me siguri do ta kem në kohën e duhur edhe përgjigjen time për sa më lart.
Por në ndërkohë, sikundër është bërë e qartë edhe në Komisionin e Mandateve në Kuvend, nuk ka asnjë gjasë që ne shumica qeverisëse dhe parlamentare e këtij vendi ta shqyrtojmë kërkesën e ngutur të prokurorëve për të autorizuar masa të reja ekstreme, të cilat edhe në dritën e raportit të ekspertëve të Këshillit të Europës, edhe në dritën e raportit të Komisionit të “torturave”të Këshillit të Europës, edhe në dritën e shumëçkaje tjetër janë vërtetë për t’u marrë dhe për t’u gjykuar me shumë qetësi, por jo pa mbaruar njëherë me themel procesi që kemi hapur në Gjykatën Kushtetuese, për masën ekstreme, për masën antidemokratike dhe antikushtetuese të pezullimit nga prokurorët që sikur s’kishte ndodhur dhe s’ka ndodhur asgjë erdhën me vrap të kërkojnë masa të tjera. Drejtësia nuk vrapon, drejtësia gjykon./pamfleti


















