Opinion Shqiperia

KIM JONG-UN SHFAQET NË SHQIPËRI, PARALAJMËRON MBYLLJEN E MEDIAVE

Nga: Parim Olluri

Edi Rama, kryeministri i Shqipëri, ka besuar verbërisht se nuk do ta ketë asnjë problem me media. Ka besuar se do të blejë heshtjen e tyre me para. Mirëpo, si duket ka dështuar.

Për çdo ditë, publikohen në media skandale të ministrave e deputetëve të partisë së tij, Partisë Socialiste. Kjo po e revolton “perandorin” e Shqipërisë.

Kjo e ka shtyrë që të ndërmarrë veprime të çuditshme.

Brenda një jave ka ndërmarrë dy nisma për të heshtur kritikët. Ka bërë publike iniciativën për të nisur një betejë të ngritjes së padive ndaj gazetarëve. Ka pohuar se me këtë veprim do ta luftoj shpifjen. Por, duket se kjo nuk është e vërteta. Ai synon që të dënoj e frikësoj gazetarët,  nëpërmjet prokurorëve e gjyqtarëve të tij të dëgjueshëm.

Nisma tjetër është ende më e çuditshme. Ende më diktatoriale. Ka detyruar Agjencinë e Komunikimeve Postare që të ndërmarrë një nismë të çuditshme. Kjo agjenci është duke kërkuar që të gjithë mediat online të regjistrohen si biznese në Shqipëri. Kjo do të ishte në rregull, nëse do të vlente vetëm për mediat që operojnë në Shqipëri. Por, kjo nismë përfshinë edhe mediat online të Kosovës e Maqedonisë.

Një listë me emra të mediave online që detyrohen të regjistrohen si biznese tashmë është publikuar nga mediat e Shqipërisë.

Aty figuron edhe Insajderi nga Kosova. Figuron edhe Pacenzure.com nga Maqedonia.

Nuk dihet arsyeja e futjes së Insajderit, në një listë të tillë. Insajderi është biznes i regjistruar në Kosovë. Operon dhe paguan taksa në Kosovë. Nuk mund të detyrohet një biznes i Kosovës që me dhunë të regjistrohet si biznes në Shqipëri dhe të paguajë taksa atje. Kjo është çmenduri.

Vendimi i Ramës thotë se nëse Insajderi nuk regjistrohet si biznes në Shqipëri, atëherë do të bllokohet qasja në territorin shqiptar. Pra, nuk mund ta lexoni Insajderin, nëse jeni për punë apo për pushime në Shqipëri.

Kjo është tipike diktatoriale. Ta kujton vendimin e autoriteteve kineze, për ta bllokuar qasjen e Facebook-ut atje. Vendime të ngjashme marrin vetëm pushtetarët e Kinës, Turqisë dhe i papërseritshmi, Kim Jong-Un i Koresë Veriore.

Nëse Rama e bllokon qasjen e mediave të Kosovës në Shqipëri, atëherë ngjashëm duhet të veprojë edhe me mediat ndërkombtare siç janë: New York Times, The Guardian, New Yorker, Bild,  El Pais etj. Por, Rama frikësohet që ta bëjë këtë me media ndërkombtare. Dëshiron që para liderëve perëndimor të lozë politikanin liberal që garanton lirinë e shprehjes. Ndërsa me neve ka tjera qëllime. E lozë diktatorin për të na frikësuar.

Këtë qasje të tij duhet luftuar. Duhet të njoftohen perëndimorët për hipokrizinë e tij. Për listën e çmendur të tij me emra mediesh. Ajo është një listë e përpiluar nga njerëz të padijshëm, të cilët synojnë që t’ia bëjnë qejfin diktatorit.

Përveç futjes së Insajderit në atë listë, aty kishte edhe media tjera. Ishte edhe reporter.al, një prej portaleve të rralla investigative në Shqipëri. Por, hartuesit e listës kishin harruar një fakt të rëndësishëm. Reporter.al botohet nga Organizata Jo-Qeveritare BIRN. Është e palogjikshme që të detyrohet një OJQ që të regjistrohet si biznes në Shqipëri.

Për më shumë, regjistrimi i OJQ-së si biznes komercial përbën shkelje ligjore. Por, Rama duket se nuk e ka hallin tek respektimi i ligjit. Halli i i tij i vetëm është mbyllja e mediave. Nuk mërzitet fare, nëse ky veprim është diktatorial. Pas mbylljes së mediave, nuk ka kush që ta vlerësojë si diktatorial këtë veprim të tij. Ky është qëllimi final i Ramës.

Burimi: Insajderi

OPINIONE