KLD harron gjyqtaren, Majlinda Andrea nuk është shkarkuar pas dënimit

Postulati “Ligji është i barabartë për të gjithë” është i diskutueshëm kur vjen fjala për gjyqtarët. Prej dy javësh gjyqtarja e Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea është shpallur fajtore e megjithatë ajo ende nuk është shkarkuar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

Ky vendim ndonëse formal konsiderohet i rëndësishëm përderisa pa një verdikt të tillë mbledhja e gjyqtarëve të lartë nuk mund të shpallë mbarimin e mandatit të gjyqtares Majlinda Andrea për shkak të shkarkimit .

Që do të thotë se nëse KLD nuk mblidhet deri në 8 korrik kur Majlinda Andreas i mbaron mandati 9 vjeçar, ajo deri atëherë teorikisht konsiderohet gjyqtare e lartë dhe mbarimi i mandatit te saj bëhet për shkak të afatit dhe jo për shkak te shkarkimit.

Burime pranë KLD  thanë për Top Channel se pas shkresës së përcjellë nga Gjykata e Lartë për shkarkimin e gjyqtares Andrea , Këshilli i Lartë është mbledhur në fundjavë pa mundur të plotësojë kuorumi i domosdoshëm prej 8 anëtarësh, i cili do të mund të konkludonte me një vendim.
Të pranishëm ishin vetëm shtatë anëtarë, ndërkohë që 8 të tjerët mungonin për shkaqe siç është thënë që nga familjaret, deri edhe tek dy dorëheqjet e anëtarëve Albana Shtylla dhe Sokol Çomos, të zgjedhur në Kolegjin e Apelimit.

Të pranishëm, thanë burimet, kanë qenë presidenti Bujar Nishani, kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, ministri Gazmend Bardhi dhe gjyqtarët Gert Hoxha, Brunilda Kadi, Petrit Çomo dhe Neritan Cena.

Përveç Majlinda Andreas, e dënuar me tre vjet shërbim prove këtë të enjte ju ka përfunduar mandati edhe pesë gjyqtarëve të tjerë të lartë duke e zbritur numrin e gjyqtarëve me mandat në vetëm shtatë. Por siç parashikon ligji ata do të qëndrojnë në detyre derisa të zëvendësohen me të rinj që do të veshin pelerinën e drejtësisë pas ngritjes së organeve të reja të qeverisjes së gjyqësorit.

Deklarohet përfundimi i mandatit
1.Aleksandër Muskaj
2.Evelina Qiqjako
3. Guxim Zenelaj
4. Arjana Fullani
5. Andi Celiku

I ka përfunduar mandati me herët
1. Ardian Dvorani
2. Ardian Nuni (dha dorëheqjen)
Dha dorëheqjen
1. Mirela Fana

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne