KLP dënoi sulmet ndaj Altin Dumanit, Ambasada Amerikane: SHBA, në krah të atyre që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë

Ambasada Amerikane në Tiranë ka reaguar në lidhje me deklaratën e djeshme të KLP ku ka dënuar sulmet ndaj SPAK dhe kreut të saj Altin Dumani. Në një postim në rrjetet sociale, Ambasada shkruan se përshëndet dënimin që KLP i bëri këtyre sulmeve, ndërsa shtoi se SHBA qëndron në krah të profesionistëve të drejtësisë që respektojnë ligjin dhe do të mbështesë të gjithë ata që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë.

“Përshëndesim dënimin nga KLP të sulmeve të drejtpërdrejta dhe të tërthorta kundër SPAK-ut në ditët dhe javët e fundit. Do të vazhdojmë të qëndrojmë në krah të shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë që mbështesin institucionet e reja të drejtësisë dhe rolin kyç që ato luajnë në demokracinë e Shqipërisë. SHBA qëndron në krah të profesionistëve të drejtësisë që respektojnë ligjin dhe do të mbështesë të gjithë ata që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë”, shkruan ambasada.

Dy ditë më parë, Ilir Meta akuzoi kreun e SPAK Altin Dumanin, duke thënë se ka shkuar disa herë në Fier për t’iu lutur të dënuarit Kastriot Ismailajt, që të dëshmonte kundër tij, gjatë kohës që ka qenë president. Meta e cilëson kreun e SPAK, kushëri të të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani, dhe e ka krahasuar me këtë të fundit. Kreu i Partisë së Lirisë tha se i penduari i drejtësisë ka më shumë integritet sesa Altin Dumani.

“Ca prisni që kushëriri i Nuredinit ka takuar McGonigal, këtë prisni ju? Të thotë kushëriri i Nuredinit që ka vajtur në Fier disa herë te Kastriot Ismailajt, i dënuar në atë kohë, duke iu lutur të bënte dëshmi kundër Ilir Metës, se mbronte GJK në mënyrë që ai të dilte nga burgu dhe ky që nisi procedimin kundër Ilir Metës, mbi bazën e një delinkuenti të dënuar nga gjykata për dhunë në familje. Nuredini ka më shumë integritet se ky kushëriri i tij sepse ky është zgjedhur për të respektuar Kushtetutën, për t’i shërbyer drejtësisë dhe për t’u bërë një vegël e shëmtuar e politikë. Nuredini vërtet ka bërë vrasje që i ka pranuar vetë, por ky karafil mendon se mund të bëhet vrarës i suksesshëm i pluralizmit politik në vend, gjë që shpreson ta arrijë përmes të kapurve nga Rama me McGogal, siç ishte me hetimet ndaj ish-kryetarit të PD-së, apo kapjes së një laraske apo sufllaqexhiu nga PL. PL është këtu, një kështjellë e pamposhtur e pluralizimit politik. E gatshme t’i tregojë kujtdo që mendon se me kushëririn e Nuredinit mundet të marrë drejtimin e PL”, tha Meta.

Pas akuzave të Ilir Metës ndaj Altin Dumanit, KLP bëri thirrje që të mos cënohet puna profesionale e prokurorëve të SPAK, ndërsa theksoi se dënon çdo gjuhë urrejtje. KLP tha se “çdo subjekt i përfshirë në veprimtarinë ligjore të prokurorisë, ka të drejtë të paraqesë çdo pretendim, ankesë apo kundërshtim në Gjykatën kompetente të parashikuar nga ligji për dhënien e drejtësisë. Kjo, në një shtet demokratik, është e vetmja mënyrë për të arritur tek e vërteta”.

Keshilli tha se mbështet pa rezerva veprimtarinë ligjore të çdo prokurori të sistemit të prokurorisë, duke i inkurajuar ata të vijojnë të ushtrojnë me kompetencë dhe pavarësi të plotë funksionin e tyre për ngritjen dhe përfaqësimin e akuzës ndaj kujtdo, në emër të shtetit shqiptar, të pa ndikuar nga askush./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne