KLSH audit për periudhën janar-gusht 2023, raporti: Në 8 muaj, 19.5 mld lekë dëme, rreth 14.7 mld nga keqmenaxhimi

Plot 19.4 miliardë leke ose rreth 180 milionë euro është dëmi që institucionet shqiptare i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit për vitin 2023. Në këtë konkluzion arrin kontrolli i Lartë i Shtetit në një raport të përpiluar nga auditi i zhvilluar në institucionet qendrore dhe vendore nga muaji janar deri në muajin gusht të këtij viti.

Pjesa më e madhe e dëmit në buxhetin e shtetit prej rreth 14.7 miliardë lekësh janë shkaktuar nga menaxhimi jo efektiv i fondeve, ndërsa pjesa tjetër prej rreth 4.4 miliardë lekësh janë dëm ekonomik. Rreth 99% e dëmeve financiare në buxhetin e shtetit, sipas raportit, është konstatuar në fushën e shpenzimeve.

Janë 46 institucione vendore dhe qendrore përfshirë 21 bashki në vend që kanë shkaktuar dëme në financat publike ndërsa vendin e parë e zë kompania Albpetrol që vazhdon të jetë një gropë e zezë financiare për Shqipërinë.

Raporti thekson se 63% e totalit të shpenzimeve me pasojë dëm ekonomik janë konstatuar në këtë kompani, e cila zë gjithashtu edhe numrin më të lartë të kërkesave të KLSH-së për masë administrative.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kërkuar vendosjen e 542 masave disiplinore dhe 41 të tjerave administrative ndaj nëpunësve të institucioneve që kanë shkaktuar dëmin ekonomik./BW

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne