Komisioni i Medias do t’i kërkojë zyrtarisht Këshillit Drejtues të RTSH ndërprerjen e garës për zgjedhjen e drejtorit të ri të përgjithshëm. Kjo lëvzije e parlamentit vjen pas akuzave që për paligjshmëri të procesit dhe të një gare jo transparente, pasi Këshilli skualifikoi kandidatët me pretendimin se nuk plotësojnë kriteret.
Si rrallëherë, edhe opozita edhe mazhoranca janë në një linjë dhe në mbledhjen e Komisionit u dakordësia që nesër do t’i drejtojnë Këshillit Drejtues shkresën zyrtare ku do t’i kërkohet që mos të vijojnë garën për përzgjedhje, pas të premten është parashikuar dëgjesa me dy kandidatët e vetëm që Këshilli la në garë, Jetmir Shpuzën dhe drejtoren në detyrë, Aurora Polo.
Vetë Partia Socialiste, përmes nënkryetares së Komisionit, Evis Kushi shprehet se garante se do të ndërmarrin çdo hap që u garanton ligji për të garantuar garën e drejtë dhe transparente.
Nga ana tjetër, opozita shkon edhe më tej duke thënë se nëse Këshilli Drejtues i RTSH nuk ndërpret garën, janë gati që të vihen në lëvizje për shkarkimin e anëtarëve. Qëndrimi i PD erdhi përmes kryetares së Komisionit, Ina Zhupa e cila tha se ky nuk është një kërcënim, por nuk mund të lejojnë ligjin, duke theksuar se anëtarët mendojnë se janë pronarë të fakto të RTSH.
“Nuk kemi lidhje me emrat, kemi lidhjet me hapat, duhet të jetë garë e hapur, transparente meritokratike, do i dërgojmë një shkresë siç e kërkuat që të ndërpresin procesin dhe të na informojnë çfarë po ndodh, se kanë të drejtën të mbrojnë punën e tyre nëse po bëjnë punë të drejtë siç pretendojnë ata, sot ose nesër, sepse kanë njoftuar të premten seanca dëgjimore të 2 kandidatëve që kanë zgjedhur”, u shpreh Kushi.
“Jemi dakord, të përfshijmë në shkresë edhe faktin që këtë detyrim që i japim për të ndërprerë procesin, nëse nuk e zbatojnë, ne pala e opozitës do të kërkojmë shkarkimin e tyre nga këshilli drejtues. T’ia vendosim që nëse nuk zbatojnë këtë kërkesë të komisionit ne do të jemi të detyruar të vazhdojmë me procedurën parlamentare të anëtarëve të këshillit të drejtimit.
Të 5 që përfaqësojnë pakicën parlamentare në Këshillin Drejtues, jemi të gatshëm ti shkarkojmë, dhe ti kërkojmë Kuvendit emërimin e të tjerëve në përputhje me ligjin, se është krijuar ideja në Këshillin Drejtues që ata s’kanë çfarë bëjnë se na kanë zgjedhur se s’do bien dakord me njëri tjetrin PS-PD dhe mendojnë se janë pronarë të fakto të RTSH. Unë shpreh vullnetin tim në emër të grupit të PD që nëse nuk ndërpresin procesin, që të hënën fillojmë procedurat për procedurat e shkarkimit”, vijoi Zhupa.
“Jemi të gatshëm të ndërmarrim çdo hap që na lejon ligji për të garantuar garë të hapur”, theksoi Kushi.
Zhupa: Ky nuk është kërcënim, është paralajmërim siç bën çdo njeri që ka në mbikëqyrje një institucion tjetër, për ta paralajmëruar siç e kërkon ligji që mos të jetë në mënyrë të rrufeshme pse na shkarkuan. Çdo shkelje e ligjit ka një pasojë mbrapa.
Koçi: Këshilli nuk mund të shkelë kriteret, mund të përzgjedhë platformat, por që të ndalojë paraprakisht është e paligjshme. Duhet parë mirë çështja e konfliktit të interesit, kemi dëgjuar në këtë sallë se si prej tyre është kërkuar të përfitojnë projekte në Radio Televizion.
Zhupa: Pasi të zgjidhim ngërçin e këtij procesi, nëse ata qëndrojnë ende në detyrë, për secilin të bëhet pjesë skanimi për konfliktin e interesit. S’mund ta kthejmë Këshillin Drejtues njërën dorë në bakllava, tjetrën në revani”, thanë anëtarët e Komisionit të Medias.