Komisioni Rregullator i KQZ-së nuk miraton afatet, rrëzon dekretin e Presidentit për zgjedhjet në Himarë

Komisioni Rregullator pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk miratoi dje afatet procedurale, që lidhen me zgjedhjet e pjesshme për Kryetar në Bashkinë Himarë. 3 anëtarë të këtij komisioni votuan pro, ndërsa 2 të tjerët votuan kundër.

Por në bazë të ligjit çdo vendim duhet të merret me të paktën 4 vota. Pas këtij qëndrimi në parim, kryetarja nuk e çoi në votimin nen për nen. Sipas dekretit të Presidentit Bajram Begaj këto zgjedhje do të zhvillohen më datë 4 gusht 2024, por ky vendim u kundërshtua nga dy anëtarët e opozitës. Sipas projektvendimit të publikuar nga KQZ-ja për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve të pjesshme për kryebashkiakun e Himarës, fushata elektorale do të hapej më datë 26 korrik.

Gjithashtu ishin vendosur dhe afatet për regjistrimin e partive dhe kandidatëve. PS garon në Himarë me Vangjel Tavon, ndërsa opozita ende nuk ka caktuar kandidatin e saj. Sipas projektvendimit, fushata zgjedhore për zgjedhjet e pjesshme për kryetarin e Bashkisë Himarë është parashikuar të fillojë më datë 26 korrik 2024 dhe përfundon 24 orë përpara datës së zgjedhjeve. Regjistrimi i partive politike do të duhet të realizohet brenda datës 15 korrik, koalicionet kane afat deri me 19 korrik dhe kandidatët deri më 22 korrik.

Sipas projektvendimit, fushata zgjedhore do të nisë më 26 korrik. Po ashtu, në projektvendimin që do të miratohet sot, bëhet me dije se “afatet procedurale të reduktuara në kohë kushtëzojnë datën 15 korrik 2024 si fillimin e detyrimit të Bashkisë Himarë, institucioneve të saj të varësisë si dhe institucioneve publike qendrore, organeve të tyre të varësisë dhe degëve të tyre vendore, si dhe agjencive dhe/ose ndërmarrjeve shtetërore, për të raportuar në KQZ, të gjitha veprimtaritë me karakter publik që planifikojnë të zhvillojnë nga periudha 15 korrik 2024 deri ditën e zgjedhjeve.

Për shkak të afateve procedurale të reduktuara në kohë, raportimi duhet të kryhet jo më vonë se tri ditë përpara afatit të planifikuar për zhvillimin e veprimtarisë. Në të njëjtën datë fillon edhe monitorimi nga Autoriteti i Mediave Audiovizive i OSHMA-ve për veprimtaritë me karakter publik të institucioneve publike./Tpz

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne