Kompania e skandaleve të Rrugës së Kombit do të ndërtojë hidrocentralin e Skavicës

Ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës do të përmbush një ëndërr 50-vjeçare siç u deklarua nga kryeministri, por që do të kushtojë miliona euro. Vlera e këtij investimi që do të bëhet nga kompania amerikane Bechtel, pritet të arrij në 500 milionë euro. Ndërkohë kreu i qeverisë Edi Rama tha se ende nuk është vendosur se në çfarë forme do të jetë financimi nga ShBA, grant apo kredi e butë.

“Lidhur me Skavicën opsionet e financimit janë çështja me të cilën po merremi tani dhe kur ti kemi konkluzionet dhe opsionin final të financimit ju do të jeni të parët që do ta merrni vesh” – tha Rama.

Aktualisht po punohet për projektin, detajimet teknike dhe më pas do të vendoset për mënyrën e financimit. Kompania Bechtel nuk është e panjohur për vendin tonë pasi ajo ka ndërtuar një pjesë të Rrugës së Kombit. Autostrada që lidh Shqipërinë me Kosovën që ka kushtuar mbi 1.3 miliardë euro, duke tejkaluar çdo kosto të parashikuar.

Kompania Amerikane në bashkëpunim me një operator turk në vitin 2006 mori të drejtën për të kryer këtë investim që vlerën fillestare e kishte rreth 600 milionë euro, por më pas problematikat teknike gjatë punimeve rritën çdo vit faturën. Kompania që fitoi tenderin ndërkombëtar nga qeveria e Partisë Demokratike asokohe drejtohej nga Sali berisha, vite më vonë u akuzua për rritjen e vazhdueshme të kostove, madje u ngritën edhe hije dyshimi për përfitim të kompanisë që lidheshin me fryrjen e faturës së kësaj vepre.

Kjo vepër jo vetëm që kushtoi dyfish më shumë se sa u parashikua, por mbeti edhe e papërfunduar. Rruga e Kombit sipas qeverisë aktuale nisi pa një projekt të detajuar dhe asnjëherë nuk u realizua me cilësi dhe sigurinë e nevojshme. Madje kryetari i PD Lulzim Basha ministër i transporteve në kohën e firmosje së kontratës me kompaninë amerikane u akuzua se ka favorizuar kompaninë Bechtel me 114 milionë euro që për buxhetin e shtetit ishin dëm ekonomik.

Për këtë skandal u hap edhe një proces gjyqësor ku u thirr edhe Lulzim Basha si pandehur por që nuk u paraqit kurrë pasi dorëzoi raporte mjekësore në gjykatë duke ju shmangur përgjegjësisë duke shfrytëzuar hapësirën që të jep procedura. Ndryshojnë qeveritë nga Berisha te Rama por Bechtel vazhdon të ndërtojë veprat më të kushtueshme në Shqipëri./Shqiptarja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne