Sociale

Mësuesit të pakënaqur me 15% rritje page, sindikata: Qeveria nuk mbajti premtimin për 40%

Mësuesit nuk i ka kënaqur vendimi i qeverisë për t’ua rritur pagat me 15%.

“Pati telefonata pa fund, pati mesazhe pa fund: Alma, s’u mbajt premtimi.”

Pritshmëritë e tyre, tregon Kryetarja e Sindikatës së Pavarur të Arsimit për Tiranën Alma Lama, i mbështesnin mbi këtë premtim të kryeministrit Rama bërë tre vite më parë.

Diferencimi me mjekët të cilët nga 1 janari i vitit 2021 do të paguhen 40% më shumë i ka bërë mësuesit të ndjehen të nënvlerësuar nga qeveria. Ndërkohë që sipas Kryetares së Sindikatës arsimtarët në Shqipëri paguhen më pak se kolegët e tyre në rajon.

“Do të vejë 550 deri në 600 mijë lekë të vjetra. Një pagë 700-800 mijë të vjetra në muaj, do të ishte një pagë ku mësuesi do të kishte mundësi më shumë për familjen e vet.”

Pavarësisht këtyre pretendimeve, arsimtarët janë të paqartë dhe për zbatimin e vendimit të fundit të qeverisë.

“Shqetësimi i mësuesve, ishte kjo rritje e pagës do të bëhet mbi pagën e grupit apo të pozicionin. VKM-ja 175 flitet që rritja e pagës duhet të bëhet mbi pagën e pozicionit.”

Rritje pagash në nivelin 15% vitin që vjen pritet të përfitojnë rreth 35 mijë arsimtarë në të gjithë vendin.  Rreth pesë mijë prej tyre ndodhen në Tiranë./abcnews

OPINIONE

INTERVISTA