“Komunat e Kosovës pa strategji për parandalimin dhe luftimin e terrorizmit”

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se terrorizmi nuk është betejë specifike e Kosovës, por viteve të fundit është kthyer në një betejë e përbashkët dhe e vazhdueshme në vendet demokratike

Është publikuar të martën në Prishtinë raporti “Sfidat e mekanizmave të parandalimit të terrorizmit në Kosovë”, që paraqet angazhimin e Kosovës në parandalimin dhe luftimin e terrorizmit, raporton Anadolu. Raporti i bërë nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), synon ndërhyrjen e hershme për të mbrojtur individët në rrezik të radikalizimit dhe vlerëson ndikimin e përpjekjeve qeveritare dhe joqeveritare në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm. Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se terrorizmi nuk është betejë specifike e Kosovës, por viteve të fundit është kthyer në një betejë e përbashkët dhe e vazhdueshme në vendet demokratike. Sveçla tha se Kosova menjëherë dhe në kohë është bërë pjesë e koalicioneve globale në luftimin e këtij fenomeni të rrezikshëm. Ministri kosovar tha se bazuar në situatën e sigurisë, Kosova ka pasur në vazhdimësi sulme të ndryshme ndaj institucioneve, zyrtarëve, personelit ndërkombëtar, gazetarëve e qytetarëve në katër komunat veriore.

“Do të veçoja dy sulmet e mëdha terroriste, atë të 24 shtatorit 2023 në Banjskë dhe 23 nëntorit të këtij viti në infrastrukturën kritike në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok. Po i theksoj këto si një dukuri me të cilën tash së voni ne po ballafaqohemi edhe me ekstremizmat e djathta dhe etno-nacionalizmat, për dallim prej ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit religjioz”, theksoi Sveçla.

– “20 komuna nuk kanë caktuar një zyrtar i cili do të duhej të merret me aktivitetet për parandalimin e terrorizmit”

Autori i raportit, Labinot Leposhtica, duke prezantuar disa nga gjetjet kryesore të raportit, tha se niveli lokal në Kosovë nuk ka kontribuar sa duhet në marrjen e pjesës së tyre të punës dhe aktiviteteve për parandalimin dhe luftimin e terrorizmit.

Leposhtica tha se 20 nga 26 komunat në Kosovë, nuk kanë caktuar një zyrtar i cili do të duhej të merret me aktivitetet për parandalimin e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

“Fakti që 20 komuna nuk e kanë kuptuar mesazhin strategjik, i bie që ato nuk e kanë caktuar një zyrtar përgjegjës, një koordinator të strategjisë, i bie që komunat nuk e kanë hartuar një plan individual të aktiviteteve të tyre të veprimit, i bie që nuk e kanë një strategji lokale për komunën përkatëse për realizimin e aktiviteteve dhe kjo pastaj e afekton realizimin e gjithë aktivitetit në tërësi”, theksoi Leposhtica.

Raporti pasqyron ndërveprimin e nivelit lokal, nivelit qendror dhe evidenton hapësira ku ka nevojë për përmirësim. Gjetjet e këtij raporti janë rezultat i punës hulumtuese e monitoruese gjashtëmujore në 26 komuna të Kosovës, përfshirë edhe intervista me aktorë bartës të procesit në vend./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne