Konflikti në Hamallaj/ Qëlloi me armën e shërbimit! Pas shkarkimit, arrestohet gardisti

Punonjësi i Gardës që qëlloi me armën e shërbimit në ajër, gjatë një konflikti mes dy familjeve në Durrës, është vënë në pranga.

Në pranga ra dhe vëllai i tij, Alfred Nikolla, që po ashtu u përfshi në konflikt.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore njofton se ndaj Martin Nikollës rëndojnë veprat penale “Kanosja”, “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

50-vjeçari, me detyrë nën Oficer Sigurie në Grupet e Shoqërimit, pranë Gardës së Republikës të Shqipërisë, ka përdorur armën e shërbimit jashtë orarit të punës, gjatë një konflikti në Hamallaj në Durrësit. Më herët, ministri i Brendshëm Taulant Balla, njoftoi shkarkimin nga detyra të punonjësit të gardës.

Oficeri shërbente dhe si shofer zëvendësues i kryetares së Parlamentit, Lindita Nikolla, e cila në një reagim zyrtar kërkon zbardhjen e ngjarjes.

“Dëshiroj të përshëndes Policinë e Shtetit për ndalimin e menjëhershëm të personit në fjalë dhe të inkurajoj organet e drejtësisë për zbardhjen sa më të shpejtë të ngjarjes dhe dënimin e kujtdo që ka gisht në këtë rast flagrant, pavarësisht pozicionit ku ka shërbyer deri më sot. Në të njëjtën kohë, solidarizohem plotësisht me familjen Kaçi dhe i siguroj se institucionet e Republikës janë të angazhuara dhe në krye të detyrës për t’i ofruar të gjithë mbrojtjen që parashikon ligji”, shkruan kryeparlamentarja.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen Hidrovor rreth orës 11:30. Pas dhunës fizike, Martin Nikolla, anëtar i njërës prej familjeve në konflikt dhe njëherazi punonjësi i Gardës – ka qëlluar më shumë se një herë në ajër me armën e shërbimit, por fatmirësisht nga të shtënat nuk është lënduar askush.

Konflikti mes dy familjeve ka nisur prej disa muajsh për një rrugë që kalon pranë familjes Kaçi. Paraditen e sotme, sherri ka nisur për një shikim, “pse sheh nga shtëpia jonë?”, që pjesëtarë të familjes Nikolla i kanë thënë Pjetër Kaçit. Përveç armës së shërbimit, në sherr janë përdorur dhe shkopinj bejzbolli.

Sipas njërit prej djemve të Pjetër Kaçit, Paulinit, konflikti për rrugën vazhdon prej kohësh dhe ka përfunduar në prokurori. Sot ata janë kapur me fjalë me babain e tyre të moshuar dhe më pas, pasi i kanë dalë në krah të bijtë, përplasja mes dy familjeve ka qenë fizike.

Paulin Kaçi akuzon shoferin e kryeparlamentares Lindita Nikolla se bashkë me familjen e tij bën të fortin dhe nuk i lejon të jetojnë qetësisht në zonën e tyre të banimit. Në konfliktin e sotëm ka pasur edhe gra.

Policia ka shoqëruar disa persona të përfshirë në konflikt Martin, Alfred, Petrit dhe Arben Nikolla, si dhe Paulin, Sajmir e Kastriot Kaçi. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të konfliktit./top-channel

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne