Kosova dhe ShBA-ja nënshkruajnë marrëveshje mbi masat e sigurisë për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Jeffrey Hovenier, në emër të dy qeverive respektive nënshkruan marrëveshjen mbi masat e sigurisë me qëllim të mbrojtjes së informacionit, transmeton Anadolu.

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, kryeministri Kurti e cilësoi atë si tejet të rëndësishme në kuadër të bashkëpunimit të frytshëm në fushën e sigurisë, të mbrojtjes mbi informacionin e klasifikuar. Kurti e falënderoi ambasadorin amerikan Hovenier dhe Departamentin e Mbrojtjes të ShBA-së si implementuesin e marrëveshjes, për besimin e treguar dhe për fuqizimin e mëtejmë të lidhjeve shtetërore përmes dakordimeve të këtilla.

Si arritje e rëndësishme në marrëdhëniet ndërmjet ShBA-së dhe Kosovës e vlerësoi marrëveshjen edhe ambasadori amerikan, Hovenier. Në lidhje me të, ai tha se ajo “përfaqëson zotimin e fuqishëm të tyre për vazhdimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe se në të njëjtën kohë çon përpara aftësinë e Kosovës për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial përmes shkëmbimit të informatave me ShBA-në”.

Hovenier po ashtu shtoi se ShBA-ja mbetet e palëkundur në përkushtimin e saj ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

“Me marrëveshjen e nënshkruar dy shtetet marrin detyrime për mbrojtën e informatave të klasifikuara të njëra-tjetrës, duke hapur derën për shkëmbim të këtyre informatave. Informacioni i kategorizuar si i tillë do të ruhet ashtu siç e parasheh legjislacioni nacional dhe nuk do zbulohet përveç ndaj atyre që posedojnë certifikatë të sigurisë, pa marrë parasysh pozitën apo titullin që personi i interesuar në informacion të klasifikuar gëzon. Marrëveshja parasheh veprimet e të dy palëve në raport me informacionin e humbur, mënyrën e asgjësimit të informacionit të klasifikuar, e ndarjes së tij në raport me palët e autorizuara”, shkruan në njoftim.

Në këtë ceremoni i pranishëm ishte edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, si dhe përfaqësues të tjerë të Ministrisë së Mbrojtës dhe Ambasadës së ShBA-së në Kosovë./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne