Rajoni

Kosova voton demarkacionin në 6 prill, deputetët të përçarë

Marrëveshja e demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi, e cila përbën edhe kushtin themelor për heqjen e vizave për qytetarët kosovarë, do të procedohet në Parlament më datë 6 Prill. Lajmi bëhet i ditur nga mediat e Prishtinës, të cilat citojnë burime konfidenciale. Akordi i arritur mes dy qeverive është përballur përgjatë muajve të fundit me kundërshtitë e ashpra të partive opozitare.

Marrëveshja e shumëdebatuar për demarkimin e vijës kufitare mes Malit të Zi dhe Kosovës do të procedohet në Kuvend më datë 6 Prill. Lajmi është përcjellë nga burime konfidenciale për mediat kosovare, të cilat bëjnë të ditur se qeveria ka marrë vendimin për ta dërguar akordin në sallën legjislative. Burimi që citohet në mënyrë anonime nga mediat ka bërë gjithashtu të ditur se në rradhët e maxhorancës ka një frymë optimizmi mbi miratimin e marrëveshjes së arritur më herët.

Qeveritë kosovare dhe malazeze kanë hartuar një draft i cili do të zgjidhë përfundimisht çështjen e përcaktimit të vijës kufitare mes dy vendeve, por miratimi i tij varet nga vota e parlamentit. Ky akord ka qenë një ndër pikat më të kundërshtuara nga opozita përgjatë muajve që kemi lënë pas. Partitë opozitare, përfshirë Lëvizjen Vetvendosje, Nisma dhe AAK janë shprehur se në rast miratimi, Kosova do të humbasë një sasi të konsiderueshme territoriale. Megjithatë, nuk janë të të njëjtit mendim zyrtarët e qeverisë të cilën pohojnë se demarkimi është bazuar në hartat e vjetra që përcaktojnë vijat ndarëse kufitare.

Ratifikimi i një marrëveshjeje demarkacioni është edhe kushti thelbësor që pengon liberalizimin e Kosovës. Zyrtarët e Bashkimit Europian kanë përgëzuar Prishtinën për plotësimin e shumciës dërrmuese të kritereve, por e kanë kushtëzuar heqjen e pengesave kufitare me ratifikimin në parlament të akordit.

/oranews.tv/

OPINIONE

INTERVISTA