Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar pak minuta më parë aktgjykimin e plotë, i cili pritet t’i hapë rrugë konstituimit të Kuvendit. Kështu, pritet të rifillojë seanca e fundit parlamentare, e cila deri më tani nuk ishte e mundur për shkak të masës së përkohshme që pezullonte vendimmarrjen e Kuvendit.
“Në bazë të vendimit: me 6 vota për dhe 1 kundër, urdhërohet Kryesuesi i Seancës Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës të miratuar më 8 prill 2025 dhe, në përputhje me paragrafin 2 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës, të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit. Kandidati/ja do të zgjidhet përmes votimit të hapur, i cili mund të përsëritet deri në tre herë për të njëjtin emër”, thuhet në aktgjykimin e publikuar sot.
Gjykata vlerësoi se deputetët e Kuvendit nuk e kanë zbatuar aktgjykimin e 26 qershorit 2025 dhe, për pasojë, “të gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 shpallen të pavlefshme”.
Nga ana tjetër, Lëvizja Vetëvendosje deri më tani ka insistuar që votimi për kryetarin e Kuvendit të bëhej i fshehtë, edhe pse procedura fillestare ishte nisur me votim të hapur./BW

















