Është mbajtur në Prishtinë marshi i dytë një javë pas të parit në solidaritet me popullin palestinez.
Marshi i organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist mblodhi rreth 100 qytetarë kryesisht gra dhe vajza të cilët marshuan nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri te sheshi “Skenderbeu”.
“Izraeli është shtet fashist”, “50 mijë gra shtatzëna jetojnë nën bombardime”, “Qeveri ndrysho qëndrimin pro-gjenocidal” dhe “Të bombardosh fëmijë nuk është vetëmbrojtje”, ishin disa nga mesazhet e shkruara nga qytetarët marshues.
Genti Behramaj nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist tha se marshi kërkon ta kthejë vëmendjen tek terrori që populli palestinez po e përjeton aktualisht dhe synon t’i forcojë thirrjet e palestinezëve për ndalim të gjenocidit, okupimit të tokave palestineze dhe aparteidit në Palestinë.
“Ajo që po shohim sot duhet të njihet si ndërmarrje gjenocidale e Izraelit kundër një populli të tërë që vjen si vazhdimësi e okupimit 75 vjeçar të Palestinës nga Izraeli, vrasjeve në masë dhe dëbimeve të dhunshme të popullit palestinez që e kanë shndërruar Gazën në burgun më të madh me qiell të hapur. Kjo është tragjedia më e madhe e shekullit 21”, theksoi Behramaj.
Ai tha se qytetarët dolën në marsh “sepse nuk mund të qëndrojmë të heshtur kur një populli të tërë po i mohohet ekzistenca” derisa i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që ta ndryshojë politikën duke e bërë në mbështetje të Palestinës.
Ky është marshi i dytë që organizohet brenda një jave në Prishtinë në solidaritet me Palestinën. Gjatë mbrëmjes së djeshme një grup qytetarësh në mënyrë të organizuar ngritën flamujt e Palestinës edhe në qendër të qytetit të Prizrenit./AA