Kosovë – Ministrja Hoxha premton vizat brenda 6 muajve

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha ka raportuar para Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane lidhur me procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Hoxha gjatë raportimit tha se në qershor të vitit 2012 Kosova ka marrë udhërrëfyesin nga Bashkimi Evropian (BE) për liberalizimin e vizave, i cili përmban 95 kritere. Sipas saj, që nga ajo kohë institucionet e Kosovës kanë qenë subjekt i vlerësimit më rigoroz që është aplikuar ndonjëherë nga BE-ja në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave.

Ajo tha se deri më sot Komisioni Evropian (KE) ka bërë 4 vlerësime, ku raporti i fundit i muajit maj 2016 ka vlerësuar se janë përmbushur të gjitha kriteret dhe KE do të bëjë propozimin për plotësim ndryshimin e rregullores për liberalizim të vizave.

Hoxha është shprehur se pas ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi nga Kuvendi procesi i liberalizimit të vizave është tërësisht në duart e BE-së. Ministrja tha se presin që e gjithë procedura që qytetarët e Kosovës të lëvizin pa viza drejt vendeve të Unionit të mos marrë më shumë se 6 muaj, që sipas saj kur janë plotësuar kushtet zakonisht ka marrë kaq kohë.

Sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Hoxha potencoi se ajo duhet të intensifikohet pasi që është në interes të qytetarëve të vendit. Sipas ministres Hoxha duhet të fillojë dhe të jetë i vazhdueshëm edhe lobimi dhe bashkëpunimi me vendet anëtare e veçanërisht me ato që nuk e kanë njohur Kosovën. Ajo tha se votimi për liberalizimin e vizave për Kosovën do të bëhet në Këshillin Evropian nga 16 vende anëtare, të cilat përfaqësojnë 65 përqindëshin e popullsisë së BE-së.

“Në kuadër të ekipit të përbashkët për luftimin e krimit, mekanizmit që e përcjellë kushtin e dytë nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale mund të them se janë shenjëzuar 39 raste, janë ngritur 30 aktakuza, 23 raste janë në shkallët e ndryshme të shqyrtimit gjyqësor dhe 7 raste janë të përfunduara në formën e prerë. Vlerësimi ynë është që për qëllime të liberalizimit të vizave kriteri i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka shënuar progres të mjaftueshëm dhe presim vlerësimin nga KE”, tha Hoxha.

Anëtarja e komisionit dhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Fitore Pacolli tha se një raport i tre ekspertëve të BE-së për liberalizimin e vizave, i cili i është dorëzuar Ministrisë së Integrimit Evropian po mbahet i fshehur nga publiku, pasi sipas saj Kosova çalon në luftimin e krimit dhe korrupsionit.

“Raporti konstaton se ka mungesë të madhe në harmonizimin e ligjeve të BE-së. Shqetësimi mbetet tek pavarësia e gjyqësorit dhe autonomia e prokurorëve veçanërisht kur këta merren me rastet e hetimit të krimeve të nivelit të lartë. Pra, që përfshihen persona që janë në nivelin e lartë të detyrës”, tha Pacolli.

Ndërsa, anëtari i komisionit, deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj e ka pyetur ministren Hoxha se cilat janë hapat në drejtim të miratimit të legjislacionit që e mundëson pezullimin ose largimin e zyrtarëve të lartë që janë nën akuza dhe nën hetime për korrupsion.

Ai tha se ministria duhet të ketë një agjendë strikte dhe një presion pozitiv për një luftë adekuate kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit ndërsa shtoi se nëse nuk luftohet mirë kjo dukuri Kosova do të jetë larg liberalizimit të vizave.

“Këtu në Republikën e Kosovës është parë që vetëm presioni publik pozitiv mund t’i ndihmojë kësaj shoqërie. Ju e keni obligim që të thoni me zë të lartë emrat dhe mbiemrat e njerëzve që janë të lidhur në politikë dhe me këto 39 raste sepse nuk ka arsye që të fshihen dhe të atyre që janë përfshirë në rastet të cilat janë mbyllur me vendim të formës së prerë që kanë shije të hidhur dhe të keqe në sistemin e drejtësisë dhe që lidhen me krimin dhe korrupsionin”, tha Zemaj.

Kujtojmë se deputetët e Kuvendit të Kosovës, më datën 21 mars miratuan projektligjin për demarkacionin me Malin e Zi miratimi i të cilit ishte kriter nga BE-ja për liberalizim të vizave përveç luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. (Anadolu Agency – AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne