Kosovë, nxënësit solidarizohen me viktimat e Zelandës së Re

Me qirinj të ndezur në shkallët e Teatrit Kombëtar të Kosovës në Prishtinë u përkujtuan viktimat e sulmit terrorist në Zelandë të Re, raporton Anadolu Agency (AA).

Dhjetra nxënës të shkollave fillore dhe të mesme të kryeqytetit, bashkë me nënkryetarin e komunës, Selim Pacolli, kanë dalë për të shprehur solidaritetin e tyre me familjarët e viktimave.

Pacolli tha se krimi nuk njeh fe, gjuhë e as racë dhe se bëhet edhe më i rëndë kur ndodh në vende të tilla si në rastin e Zelandës së Re, respektivisht në xhami.

“Kjo nuk do të duhej të ndodhte askund në botë, mbi të gjitha në vendin dhe ambientin ku është përzgjedhur që të ndodh ky akt. Dhe, në bashkëpunim me Këshillin e Nxënësve të Prishtinës, kemi vendosur që sot të dalim këtu së bashku të ndezim qirinj në shenjë solidarizimi”, tha Pacolli.

Edhe kryetari i Këshillit të Nxënësve të Prishtinës, Amar Rama, tha se e dënojnë çdo sulm të tillë.

“Jemi nxënës të Prishtinës. Sonte kemi dalë këtu për të bërë homazhe për të vdekurit në Zelandën e Re. Kjo tregon revoltën tonë ndaj akteve terroriste në të cilat cenohet drejtpërdrejtë integriteti dhe liria e shprehjes kombëtare, racore ose fetare”, tha Rama.

Të paktën 50 persona u vranë javën e kaluar kur një terrorist hapi zjarr të premten mbi besimtarët gjatë namazit të xhumasë në xhamitë Al Noor dhe Linwood në qytetin Christchurch të Zelandës së Re.

Pas sulmit, aktivitete dhe mesazhe solidarizuese ka pasur nga shumë vende të botës.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne