Kosovë – Thaçi merr mbështetjen e SHBA-së për fazën përfundimtare të dialogut Prishtinë-Beograd

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, zhvilloi të martën një bisedë telefonike me nënsekretarin amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Wess Mitchell, me të cilin foli për forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe për fazën e fundit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në një postim në “Facebook”, Thaçi shkruan se ata janë pajtuar për intensifikimin e dialogut dhe domosdoshmërinë e arritjes së marrëveshjes përfundimtare, ligjërisht detyruese me Serbinë.

“Dialogu dhe marrëveshja përfundimtare janë mënyra e vetme për t’i hapur rrugë integrimeve euroatlantike për Kosovën dhe për të siguruar paqen dhe stabilitetit afatgjatë në Ballkanin Perëndimor”, shprehet Thaçi.

Kreu i shtetit thekson se “Kosova, si gjithmonë, gëzon mbështetjen e palëkundur amerikane edhe në fazën përfundimtare të këtij procesi të vështirë, por jo të pamundur për t’u përmbyllur me marrëveshje”./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne