Kosto 850 euro/metri katror, pse shiten dyfish banesat?

Çmimet e apartamenteve në Tiranë si dhe në zonat bregdetare vijojnë të njohin shtrenjtim. Gjatë muajve të parë të 2024, në zonat periferike të Tiranës, është shënuar rritja më e fortë e çmimeve të shitjes së apartamenteve. Tendencë në rritje ka pasur edhe te pronat në zonat qendrore. Por ky çmim a është në raport të kërkesës për këtë treg? Për SCAN ndërtuesi Artur Roshi ka thënë se kosto për 1 metër katror ndërtim varion nga 700-850 euro, prandaj nuk duhet të abuzohet me çmimet.

Ndërsa Armand Shkembi, administrator i një agjencie imobiliare thotë se çmimet janë rritur fiktivisht, por pritshmëritë sipas tij janë për ulje të çmimeve në vitet 2025-2026. “Fundi i Bulevardit-Paskuqan është në çmimet 900-1000 euro/metër, ndërsa të tjerat madje dhe zona e Astirit që ka qenë 1000, ka shkuar 1200-1300/metër. Pra sa më afër qendrës, “qielli’’ është limiti. Nga Durrësi e Shëngjini është 1300-1500 m2,  Dhërmiu fillon nga 2500- 4500 euro metri katror”- thotë Shkembi.

Sa i takon sigurisë, Roshi dhe Shkembi kanë thënë se me përmirësimin e legjislacionit cilësia është rritur. “Pallatet e ndërtuara më përpara kanë tjetër standard, dallohen në çdo element. Dhe unë ju them klientëve, pra ata që kanë blerë shtëpinë gjatë viteve 2000, shite dhe bli këto pas 2019”- tha Shkembi

“Sa i përket kostruksionit që mos kemi panik me njerëzit, nga ana kostruktive, tërmeti këtë tregoi që ndërtesat e projektuara me inxhinierë dhe po flasim për ata të larta, treguan qëndrueshmëri, të tjerat u rrëzuan. Unë them se cilësia e ndërtimit ka rritur performancën” – tha Roshi. Sipas Shkembit, në Tiranë janë 52 mijë apartamente që janë blerë nga emigrantët që jetojnë jashtë./SCAN

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne