Sot protesta e opozitës, policia bllokon qarkullimin në bulevardin para bashkisë së Tiranës

Paraditen e sotme pritet të zhvillohet protesta e radhës e thirrur nga opozita dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit para bashkisë së Tiranës. Lidhur me këtë policia e Shtetit njoftoi pasditen e djeshme se sot në orën 09:45 do të ketë një bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve në bulevardin pranë Bashkisë Tiranë.

Gjithashtu, Policia u bën thirrje organizatorëve, drejtuesve dhe pjesëmarrësve në tubime të respektojnë ligjin dhe të distancohen nga çdo akt dhune.

Njoftimi i policisë

Policia e Shtetit bën me dije se, ka marrë masa organizative dhe operacionale për garantimin e rendit publik dhe sigurisë gjatë zhvillimit të një tubimi të kërkuar nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, ditën e premte, 26 prill 2024, ora 10:00, pranë Bashkisë së Tiranës. Në zbatim të planit të masave, Policia e Shtetit njofton se, ditën e nesërme, në orën 09:45 e në vijim, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës. Për këtë arsye sugjerojmë që të përdoren rrugë alternative, deri në përfundim të tubimit, si Unaza e Mesme dhe Unaza e Madhe.

Ashtu si në protestat e kaluara, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj, pas skandalit të korrupsionit me kompaninë 5D dhe arrestimit të drejtorëve dhe ish-drejtorëve të bashkisë. Protesta e fundit u shoqërua që nga nisja e saj me tensione, me dhjetëra koktejle molotovë të cilat u hodhën në hyrje të godinës së bashkisë.

Ngjarjet në protestë u dënuan edhe nga amabsadorët perëndimorë në vendin tonë.

Një ditë pas protestës, policia arrestoi katër protestues dhe procedoi edhe dy deputetë të Partisë Demokratike. Të hënën protestuesit e arrestuar u lanë të lirë, por gjykata vendosi tju ndalojë pjesëmarrjen në protestat e tjera.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne