Kovaçevski: Një dobësi e madhe e rezolutës është mospërmendja e aktit terrorist të Hamasit më 7 tetor

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, tha se vendi votoi “i përmbajtur” në lidhje me rezolutën e Kombeve të Bashkuara (OKB) që bën thirrje për armëpushim humanitar në Gaza për shkak se, sipas tij, nuk u përmend “akti terrorist i Hamasit më 7 tetor” dhe “e drejta e Izraelit për të mbrojtur veten”.

Në konferencën e përbashkët për media me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila ndodhet në një vizitë zyrtare në Shkup, kryeministri Kovaçevski iu përgjigj pyetjes së gazetarëve në lidhje me votën e Maqedonisë së Veriut në seancën e 10-të të Sesionit Special Emergjent të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Pyetja ishte nëse ambasadori i vendit ishte konsultuar me qeverinë dhe nëse abstenimi “do të thotë se Maqedonia e Veriut nuk dëshiron një jetë paqësore për civilët në Gaza”.

Kryeministri Kovaçevski tha se Maqedonia e Veriut “mbështet aspektin humanitar të rezolutës jordaneze, respektimin e ligjit ndërkombëtar humanitar, domosdoshmërinë e mbrojtjes së civilëve dhe qasjen e tyre në nevojat themelore të jetës: rrymë, ujë dhe barëra”.

Megjithatë, ai tha se “një dobësi e madhe e rezolutës është mospërmendja e aktit terrorist të Hamasit më 7 tetor, të cilin ne e dënuam menjëherë me termat më të ashpër, si dhe të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur”, duke shtuar se për shkak të kësaj, Maqedonia e Veriut votoi për amendamentin kanadez të rezolutës.

“Vendimi për të votuar nuk ishte i lehtë. Ne vendosëm të abstenonim sepse rezoluta nga njëra anë trajton çështje humanitare, me të cilat ne jemi dakord dhe i mbështesim, por mungesa e përmendjes së asaj që bëri Hamasi më 7 tetor nuk lë hapësirë për një qasje ndryshe në aspektin e votimit”, tha Kovaçevski.

Ai shtoi se duhet të vazhdojnë aktivitetet e bashkësisë ndërkombëtare për sigurimin e paqes dhe stabilitetit afatgjatë në Lindjen e Mesme.

Kovaçevski tha se vendimin për të votuar, ambasadori i Maqedonisë së Veriut në OKB e ka marrë nga Qeveria dhe kjo paraqet qëndrim të Qeverisë, duke shtuar se për shkak të mospranimit të amendamentit kanadez, “një numër i madh vendesh vepruan ashtu siç veproi vendi ynë”.

Rezoluta e OKB-së

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së më 28 tetor miratoi një rezolutë që bën thirrje për një “armëpushim humanitar të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm” në Gaza.

Rezoluta e miratuar në takimin e 10-të të Sesionit Special Emergjent mbi situatën në Territorin e Pushtuar Palestinez shpreh “shqetësim të madh” për “përshkallëzimin e fundit të dhunës” që nga sulmi i Hamasit në Izrael më 7 tetor.

Rezoluta, e cila u prezantua nga afro 50 vende, duke përfshirë Türkiyen, Palestinën, Egjiptin, Jordaninë, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), u miratua me një votim 120-14, me 45 vende që abstenuan.

Rezoluta dënon “të gjitha aktet e dhunës kundër civilëve palestinezë dhe izraelitë, duke përfshirë të gjitha aktet e terrorit dhe sulmet pa dallim, si dhe të gjitha aktet e provokimit, nxitjes dhe shkatërrimit”.

Rezoluta gjithashtu kërkoi që “të gjitha palët të përmbushin menjëherë dhe plotësisht detyrimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar”.

Duke theksuar nevojën për të mbrojtur civilët “në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe ligjin ndërkombëtar të të drejtave të njeriut”, rezoluta bëri thirrje për “lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të të gjithë civilëve që mbahen në robëri ilegalisht”.

Rezoluta theksoi rëndësinë e “parandalimit të destabilizimit të mëtejshëm dhe përshkallëzimit të dhunës në rajon”./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Powered by WordPress