KPA merr vendimin, shkarkon nga detyra kreun e KLP-së, Alfred Balla. Ina Rama: 15 vite jashtë sistemit të drejtësisë, i hiqet e drejta për të…

Kolegji i Posaçëm i Apelimit kaloi sot në veting në shkallëtn e dytë kreun e KLP-së Alfred Ballën. Pas shqyrtimit të rastit, KPA vendosi largimin nga sistemi të Ballës. Për Alfred Balllën, ankimoi në KPA Komisioneri Publik. Sipas KPA-së, Alfred Balla nuk duhet që të ushtrojë funksione në drejtësi për 15 vitet e ardhshme.

“Trupi gjykues e gjen të drejtë ankimin e Komisionerit publik duke konkluduar se vendimi i KPK-së është i pabazuar në fakte e ligj dhe si i tillë duhet ndryshuar. Trupi gjykues me shumicë votash vendos ndryshimin e vendimit nr 675 të KPK-së si më poshtë: Ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për Alfred Ballën. Subjekti i vlerësimit nuk mund të emërohet gjyqtar apo prokuror i çdo niveli, anëtar i KLP-së apo KLGj-së, inspektor i lartë i drejtësisë apo prokuror i përgjithshëm për një periudhë 15 vjeçare”, thuhej në vendimin e lexuar nga anëtarja e KPA, Ina Rama.

Vendimi u dha nga trupa gjykuese e përbërë nga Ina Rama kryesuese, Albana Shtylla relatore, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtar.

 

 

Procesi i gjatë dhe i veçantë ndaj Alfred Ballës

Procesi ndaj Ballës, i cili prej vitit 2018 mban detyrën e anëtarit dhe njëkohësisht kryetarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, përbën një nga rastet e veçanta që u shqyrtua nga institucionet e rivlerësimit. Balla, deri në vitin 2017, ka mbajtur pozicionin e ndihmësit ligjor në Gjykatën e Lartë, një detyrë që e shndërronte në subjekt të ligjit për Vetingun.

Ai u largua nga detyra me një vendim të Kryetarit të Gjykatës së Lartë të asaj kohe, Xhezair Zaganjori, pasi largimit të gjyqtarit, me të cilin Balla punonte si ndihmës.

Në qershor të vitit 2018, Balla iu drejtua Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që të ndërpriste procedurën e rivlerësimit për të, pasi ai nuk e gëzonte statusin e ndihmësit ligjor, për shkaqe që nuk vareshin prej tij. Gjithashtu, ai njoftoi KPK-në se e kishte ankimuar vendimin e kreut të Gjykatës së Lartë që i ndërpreu marrëdhëniet e punës me atë institucion.

Gjykata Administrative e Shkallës së Parë, në vendimin e marrë në Korrik 2021, ndër të tjera, arsyeton mbi: […] pavlefshmërinë absolute të urdhrit të kryetarit të Gjykatës së Lartë, dhe faktit se subjekti i rivlerësimit gëzonte statusin deri kur me zgjedhjen e tij si anëtar i KLP-së, ku paditësi ka humbur çdo të drejtë që rrjedh nga qenia e tij si Ndihmësligjor në Gjykatën e Lartë […].

Përtej sa konstatonte gjykata në vendim, vetë subjekti i rivlerësimit, duke synuar pranimin e plotë të objektit të padisë të paraqitur në shkallën e parë të gjykimit dhe për shkak të gëzimit të statusit, kërkonte edhe rikthimin në detyrën e Këshilltarit ligjor të Gjykatës së Lartë, pas përfundimit të mandatit si anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke paraqitur ankim në Gjykatën Administrative të Apelit.

Në këto kushte, Balla u përfshi në listën e subjekteve që i nënshtrohen Vetingut. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, në janar 2022, e njoftoi Ballën (në cilësinë e këshilltar ligjor) për caktimin e trupës që do të kryente Vetingun e tij.

Në përgjigje të këtij njoftimi, Balla kërkon ndërprerjen e procesit të rivlerësimit pa vendim, për shkak se ai nuk është më ndihmës ligjor dhe se mban funksion tjetër kushtetues.

Më tej, në datën 4.4.2023, Balla iu drejtua me një shkresë Komisionit, ku e informon lidhur me vendimin datë 10.3.2023, të Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, e cila ka vendosur “Prishjen e vendimit datë 29.97.2021, të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë dhe rrëzimin e kërkesëpadisë”. Sipas tij, edhe bazuar në këtë vendim, ai nuk ishte subjekt i ligjit të Vetingut.

Po ashtu, Balla, në mars 2023, i është drejtuar organit të KLGJ-së, me kërkesën për heqjen dorë nga kërkesa për deklarimin e pasjes/njohjes së statusit të Këshilltarit/Ndihmësit ligjor jomagjistrat në Gjykatën e Lartë, duke arsyetuar se: […] duke qenë se tashmë ka përfunduar gjykimi në të dyja shkallët e tij dhe unë mendoj se pozicioni im aktual si anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë nuk pajtohet me statusin e Ndihmësit ligjor në Gjykatën e Lartë, heq dorë nga kërkesa drejtuar para jush në vitin 2020 dhe pushimin e shqyrtimit të saj […].

Në qershor të vitit 2023, KPK vendosi të pranojë kërkesën e Alfred Ballës, duke vendosur ndërprerjen e procesit të rivlerësimit të tij pa vendim përfundimtar, për shkak se u konsiderua se ai nuk ishte subjekt i ligjit.

Komisioneri Publik nuk ishte dakord me këtë vendim. Irena Nino iu drejtua Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për ndërprerjen e procesit të rivlerësimit dhe ndalimin e tij për t’u përfshirë në organet e sistemit të drejtësisë për 15 vjet.

Sipas Komisioneres Publike, Alfred Balla e ka pasur statusin e ndihmësit ligjor në kohën e hyrjes në fuqi të ligjit të Vetingut dhe e ka humbur atë me dorëheqjen drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor në vitin 2023. Ndaj, për komisioneren Nino, Alfred Balla ka dhënë dorëheqjen pa u përfshirë në veting, gjë e cila e pengon të emërohet në detyra të tjera në gjyqësor.Në seancën e zhvilluar më datë 29 prill 2024, Komisionerja Publike i qëndroi të njëjtës kërkesë./BW

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne