Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar shpërndarjen e materialeve zgjedhore për zgjedhjet e pjesshme të 9 Nëntorit 2025.
Materialet e nevojshme po shpërndahen në 5 bashkitë Vlorë, Berat, Cërrik, Mat, Tepelenë ku përfshihen fletët e votimit, kutitë e votimit, proces-verbalet si dhe dhomat e fshehtësisë si dhe të gjitha materialet e tjera që garantojnë zhvillimin e zgjedhjeve në përputhje me Kodin Zgjedhor.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka zhvilluar dy ditë më parë edhe testimin operacional të pajisjeve të identifikimit elektronik të zgjedhësve (PEI) që do të përdoren në zgjedhjet e pjesshme të së dielës.
Në zbatim të Kodit Zgjedhor, u përzgjodhën rastësisht 3% e pajisjeve që KQZ do të përdoren në zgjedhjet për kryetar bashkie në 5 qytete për të simuluar procesin e hapjes, mbylljes dhe identifikimit të zgjedhësit.
Për identifikimin e zgjedhësve do të implementohet Sistemi Elektronik i Identifikimit të Votuesve (SEIV) dhe do të përdoren Pajisje Elektronike të Identifikimit (PEI) të vendosura në 472 qendra votimi në 5 bashki, të cilat do të sigurojnë identifikimin e saktë të zgjedhësve, bazuar në regjistrin elektronik të mbajtur në pajisje.
Zgjedhësi në ditën e votimit do të paraqitet në qendrën e tij të votimit me letërnjoftim ose pasaportë biometrike, për tu identifikuar përmes pajisjes PEI, ku përveç dokumentit të identifikimit do të lërë edhe gjurmët daktiloskopike (shenjat e gishtërinjve), të cilat do të shërbejnë për evidentuar rastet e votimit të paligjshëm./BW















