Kreu i OKB-së: Nevojitet armëpushim humanitar në Gaza

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha se nevojitet një armëpushim humanitar në Rripin e Gazës, edhe pse përpjekjet për të kërkuar një armëpushim të tillë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së përsëri dështuan. “Unë besoj se ne kemi nevojë për një armëpushim humanitar. Por sigurisht, ne jemi në favor të çdo pauze që mund të çojë në përmirësime të situatës me ndihmën humanitare dhe në shkëmbimin e të burgosurve”, u tha Guterres gazetarëve.

Komentet e tij erdhën pasi Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi një rezolutë që bën thirrje për “hapa urgjente” për të lejuar menjëherë qasjen humanitare “të sigurt, të papenguar dhe të zgjeruar” në Gazën e rrethuar, por nuk ka asnjë thirrje për armëpushim, për shkak të SHBA nuk e miraton një formulim të tillë. Pas disa ditësh negociata intensive dhe vonesa, rezoluta e paraqitur nga Emiratet e Bashkuara Arabe u miratua me një votim 13-0, ku abstenuan vetëm SHBA dhe Rusia, të dyja anëtare të përhershme të këshillit.

“Sot, mund të shihni gota gjysmë të mbushura ose gjysmë bosh”, tha Guterres, duke shtuar: “Shpresoj që rezoluta e sotme do t’i bëjë njerëzit të kuptojnë se një armëpushim humanitar është me të vërtetë diçka që nevojitet, nëse duam që ndihma humanitare të shpërndahet në mënyrë efektive”. SHBA ka bllokuar tashmë rezolutat që bëjnë thirrje për një armëpushim, për zhgënjimin e dukshëm të shumë vendeve në mbarë botën, duke përfshirë disa nga aleatët e saj në Këshillin e Sigurimit.

Izraeli ka goditur Rripin e Gazës që nga sulmi i 7 tetorit nga Hamasi, sipas autoriteteve shëndetësore të enklavës, duke vrarë të paktën 20.057 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe duke plagosur mbi 53.320 të tjerë. Sulmet izraelite e kanë shndërruar Gazën në gërmadha me gjysmën e banesave të territorit bregdetar të dëmtuara ose shkatërruara dhe me pothuajse 2 milionë njerëz të zhvendosur brenda enklavës me një popullsi të dendur mes mungesës së ushqimit dhe ujit të pastër./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne