Kriza e ujit në Vlorë/ Sa kohë i duhet qeverisë për të rregulluar një tubacion?

Qyteti i Vlorës, po përballet prej tre ditësh, me mungesë të furnizimit me ujë të pijshëm, duke ndikuar drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve dhe funksionet jetike të tyre.

Sipas raportimeve, situata ka ardhur si pasojë e dëmtimit të një tubacioni kryesor të ujësjellësit, ndërkohë që riparimi i defektit ka zgjatur më tepër sesa pritej.

Një nga aspektet më shqetësuese të kësaj situate është ndikimi në spitalet dhe institucionet shëndetësore të qytetit. Mungesa e furnizimit me ujë ka krijuar vështirësi serioze në garantimin e kushteve higjieno-sanitare dhe funksionimin normal të shërbimeve mjekësore për pacientët.

Sipas raportimeve, spitali i qytetit aktualisht është duke u furnizuar me ujë nga autobotet e zjarrfikësve, por këto të fundit nuk mund të zgjasin shumë gjatë.

Qytetarët duke mbushur ujë me bidona

Pasojat për familjet dhe jetën e përditshme

Ndërprerja e ujit ka ndikuar edhe në qindra familje, të cilat janë detyruar të përballen me mungesë të një shërbimi bazë. Kjo situatë ka krijuar vështirësi të konsiderueshme për higjienën, gatimin dhe nevojat elementare të përditshme, duke rënduar veçanërisht familjet me fëmijë, të moshuarit dhe personat me probleme shëndetësore.

Qytetarët janë shprehur të shqetësuar se nuk kryejnë dot nevojat jetike, teksa kanë akuzuar shtetin për neglizhencë.

Ata ngrenë alarmin se mund të shpërthejë ndonjë epidemi, pasi dhjetëra shtëpi nuk kanë as ujë të pijshëm as rezerva në depozitat e tyre dhe janë detyruar të mbushin ujë me bidona në burime të zonës.

“Rast shumë emergjent dhe shqetësues. Vlora ka 3 ditë pa ujë. U qelbëm, jemi në prag epidemie, është bërë m*ti mullar. Nuk e dimë cfarë problem ka, po dh**sin njerëzit poshtë pallateve”, është shprehur një banor për mediat.

“Kemi tre ditë pa ujë. Taksat i paguajmë, ujin s’na i bjenë. Tre ditë skemi pikë ujë, taksat i paguajmë, çdo gjë i paguajmë, por ujë skemi”, është shprehur një qytetar tjetër.

Banorët në burim

Përgjegjësia institucionale dhe mos reagimi qeveritar

Zgjatja e riparimit të defektit në tubacionin kryesor të këtij qyteti ka ngritur pikëpyetje mbi gjendjen e infrastrukturës së ujësjellësit dhe mbi kapacitetet e institucioneve përgjegjëse në raste emergjente.

Në një kohë kur qeveria Rama synon të fusë Shqipërinë në BE, duket se nuk siguron as kushtet minimale për qytetarët, atë të furnizimit me ujë të pijshëm.

Edhe pse kanë kaluar më shumë se 48 orë, as qeveria dhe as institucionet përkatëse, nuk kanë marrë përgjegjësi për menaxhimin e situatës apo për sqarimin e shkaqeve të vonesës.

Edhe pse furnizimi i vazhdueshëm me ujë të pijshëm është detyrim institucional dhe standard bazë për mirëqenien e qytetarëve, shteti ka marrë pushimet duke i lënë në mëshirë të fatit dhe duke mos dhënë asnjë afat se sa do të zgjasë ky hall madhor që i ka zënë në prag festash./Boldnews

NDANI KËTË POSTIM

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Mund tju interesojne