Kriza në RTSH/ Komisioni i Medias nis procedurat për shkarkimin e 9 anëtarëve të Këshillit Drejtues

Komisioni i Medias ka vendosur unanimisht nisjen e procedurave për shkarkimin e 9 anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSH, përfshirë kryetarin e tij. Deputetja Ina Zhupa ka njoftuar se që nga sot do të zhvillohen dëgjesa me secilin prej tyre, duke u dhënë nga 20 minuta kohë për të dhënë shpjegime.

Ky vendim vjen pas skandalit me procesin e zgjedhjes së drejtorit të ri të RTSH-së, që çoi në dorëheqjen e dy anëtarëve të Këshillit Drejtues, Gëzim Podgoricës dhe Genc Përmetit. Pas këtyre dorëheqjeve, Këshilli ka mbetur me 9 anëtarë nga 11 që ka në total.

Procesi për zgjedhjen e drejtorit është pezulluar pas ndërhyrjes së politikës. Nga 10 kandidatët fillestarë, pesë u përjashtuan për mungesë dokumentacioni, ndërsa tre të tjerë u skualifikuan në mënyrë të dyshimtë dhe pa transparencë, përmes një votimi të fshehtë të Këshillit Drejtues. Si rezultat, në garë mbetën vetëm Aurora Polo dhe Jetmir Shpuza.

Këshilli Drejtues është akuzuar për manipulim të procesit dhe shkelje të ligjit, me qëllimin për të emëruar në krye të RTSH-së Aurora Polon, e cila nuk plotëson kriteret ligjore, pasi është inxhiniere dhe jo gazetare. Skandali ka ngritur shqetësime për ndikimet politike dhe mungesën e transparencës në institucionin e Televizionit Publik Shqiptar./gazetaimpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne