Kriza SHBA-Kore Veriore, në pikën e vlimit

Nëndetësja amerikane “USS Michigan” mbërriti në Korenë e Jugut në mesin e tensioneve me Veriun komunist, që kanë bërë të fryjë erë lufte nga Gadishulli Korean.

Nëndetësja e mbushur me raketa do t’i bashkohet njësisë së luftanijeve të drejtuara nga aeroplanmbajtësja “Carl Vinson”, të cilat po afrohen në rajon pas pjesëmarrjes në një stërvitje ushtarake me Australinë dhe fillimit të manovrave të përbashkëta me dy destrojerë japonezë në perëndim të Paqësorit. Pheniani kërcënoi të dielën ta fundosë aeroplanmbajtësen amerikane me energji bërthamore. Gazeta shtetërore “Rodong Sinmun” shkruante se Koreja e Veriut ka armë që mund të mbërrijnë deri në Amerikën kontinentale dhe rajonin e Azi-Paqësorit, duke përmendur mes të tjerash edhe bombën me hidrogjen. Shteti komunist kremton sot (e martë) 85-vjetorin e themelimit të ushtrisë. Shfaqje të ngjashme, Pheniani i ka shënuar në disa raste me prova raketore. Në fillim të prillit, zyrtarët e Shteteve të Bashkuara dërguan mesazhe të paqarta se grupi “Carl Vinson” po shkonte drejt Koresë përpara datës 15 prill, ditëlindjes së themeluesit të Koresë së Veriut, Kim Il-sung, edhe kjo një ngjarje që festohet rëndom me teste provokuese. Deri javën e fundit, aeroplanmbajtësja ishte në oqeanin Indian, e përfshirë në stërvitje me Australinë. I dërguari Phenianit në Kombet e Bashkuara, Kim Ryong para disa ditësh deklaroi se Koreja e Veriut është e gatshme për t’iu përgjigjur çdo forme të luftës, që mund të fillonte ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës . Deklarata e Kim Ryong, erdhi pas paralajmërimeve nga nënpresidenti amerikan Mike Pence, që Koreja e Veriut nuk duhet ta vërë në provë vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara.

“Nëse Shtetet e Bashkuara guxojnë për të zgjedhur veprimet ushtarake, Koreja e Veriut është gati për të reaguar ndaj çdo lloj lufte që duan Shtetet e Bashkuara,” tha përfaqësuesi i Phenianit në një konferencë për media. Gjithashtu, lideri i Koresë së Veriut Kim Jong-un, ka kërcënuar Shtetet e Bashkuara në krye me Presidentin Donald Trump, se do të sulmojë kryeqytetin e Koresë së Jugut, Seulin dhe bazat ushtarake amerikane që gjenden brenda këtij vendi, nëse ushtria amerikane ndërmerr ndonjë sulm ndaj Koresë Veriore. Ky lajm që ka alarmuar Shtetet e Bashkuara, derisa Kina ka paralajmëruar se ky rajon mund të futet në luftë “nga çasti në çast” dhe ka bërë thirrje për vetëpërmbajtje nga të gjitha palët. Lidhur me këto kërcënime është alarmuar edhe Japonia e cila brenda territorit të saj ka baza ushtarake amerikane, të cilat tashmë janë në gjendje gatishmërie. Ndërkaq zyrtarë të lartë amerikanë kanë deklaruar se SHBA-të janë duke shqyrtuar seriozisht mundësinë e bombardimit me raketa Tomahaëk, bazën nga ku pritet të zhvillohet testi i ri bërthamor në Korenë e Veriut. Zhvillimet në Gadishullin Korean janë vërtetë alarmante, por është e qartë se SHBA po e shfrytëzon këtë krizë për të forcuar praninë e saj ushtarake në Azinë Juglindore dhe në Detin e Kinës Jugore. Dislokimi i sistemit antiraketor amerikan THAAD në Korenë e Jugut tregoi qartë se Uashingtoni po i shfrytëzon më së miri testet bërthamore dhe raketore të Phenianit për të forcuar praninë ushtarake amerikane në rajon dhe për të shantazhuar Kinën, e cila ka interesa jetike jo vetëm në Korenë e Veriut, por edhe në Detin e Kinës Jugore dhe në jug të Oqeanit Paqësor.

Aktualisht, tensionet mes SHBA dhe Koresë së Veriut kanë arritur në pikën e vlimit dhe nëse shpërthen një konflikt i armatosur, padyshim që do të implikohen shtetet e fuqishme të rajonit si Kina, Rusia, Japonia çka mund të çojë në një luftë me përmasa ndërkombëtare, ku pasojat më të rënda do t’i vuajnë popujt e rajonit./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne