Prefekti i qarkut mund të shkarkojë kryetarin e Bashkisë. Po ashtu, ai do të monitorojë zbatimin e punës në projektet që kryhen me fonde lokale dhe do të administrojë raportimet e policisë për situtanë e rendit. Këto janë kompetencat që do të marrin 12 prefektët e vendit, në ligjin e ri të hedhur për konsultim nga Ministria e Brendshme.
Ndryshimet e propozuara synojnë të forcojnë rolin e prefektit, si përfaqësues i Këshillit të Ministrave në qark. Sipas relacionit, domosdoshmëria e ndryshimeve ligjore, bëhet për të mundësuar shërbime dhe qeverisje sa më pranë qytetarëve.
Por për ekspertët e pushtetit vendor disa nga kompetencat e reja që pritet t’i shtohen Prefektit të Qarkut, prevalojnë mbi ligjin aktual të vetëqeverisjes vendore ose në raste të caktuara mbivendosin autoritetin e Prefektit me autoritete të tjera. Në ndryshimet ligjore është parashikuar edhe thirrja e ekspertëve të jashtëm në fushat për të cilat nevojitet ekspertiza, si dhe mbikëqyrja e këtij shërbimi nga nënprefekti, përmes fondeve të veçanta në buxhet./tpz