Shqiperia

Kryeministri Hoti: Në marrëveshjen midis Kosovës dhe Serbisë “nuk do të ketë kompromis”

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se në marrëveshjen finale si rezultat i dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë “nuk do të ketë kompromis”.

Kryeministri Hoti, i cili shpalosi platformën dialoguese të Kosovës para shoqërisë civile dhe gazetarëve, u pyet se cili do të jetë kompromisi i Kosovës në raport me Serbinë në marrëveshjen midis dy vendeve, por ai tha se aranzhimi kushtetues dhe ligjor i Kosovës është komplet kompromisi “që kemi bërë për shtetin e pavarur”.

“Po shkojmë drejtë pikës kur partnerët ndërkombëtarë, do ta thonë fjalën e tyre, që, sikurse ka ndodhur në vitin 2007 me presidentin amerikan i cili ka thënë ‘mjaft është mjaft, Kosova duhet të jetë e pavarur’. Nëse ne sillemi në mënyrë konstruktive si Qeveri dhe si shtet, të unifikuar në qëndrimin tonë, unë besoj se jemi duke shkuar drejtë pikës kur partnerët ndërkombëtarë do t’i thonë Serbisë, por do të na thonë edhe neve, që ‘mjaft është mjaft’, duhet të ketë njohje reciproke dhe normalizim në mes të dy vendeve”, tha Hoti.

Kreu i Qeverisë së Kosovës para takimit të 27 qershorit, ku Qeveria e Kosovës do të takohet me atë të Serbisë në Washington, tha se nuk është në dijeni si kryeministër se ka ndonjë draft-marrëveshje të gatshme rreth dialogut.

Por, siç tha Hoti, atje do të prezantojnë “parimet mbi të cilat duhet të arrihet marrëveshja”.

I pyetur rreth planit të themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, Hoti ka thënë se marrëveshja për Asociacionin nuk është shpallur jokushtetuese, por nga ana e Gjykatës Kushtetuese janë dhënë vërejtje se ku duhet të kihet parasysh gjatë përgatitjes së statutit të këtij asociacioni.

“Marrëveshja për Asociacionin nuk është shpallur jokushtetuese. Gjykata Kushtetuese ka dhënë vërejtjet e veta në nene të caktuara të kësaj marrëveshjeje të cilat Qeveria e Kosovës duhet t’i ketë parasysh gjatë përgatitjes së statutit të Asociacionit. Dhe, Qeveria e atëhershme kur e ka nënshkruar këtë marrëveshje, ka qenë e kujdesshme besoj. Është ndër marrëveshjet e vetme që ka referenca kushtetuese në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, që, kur të themelohet, do të themelohet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, shtoi Hoti.

Hoti gjithashtu sot “me qëllim të bashkërendimit të qëndrimeve të spektrit politik të vendit në procesin e dialogut me Serbinë, si dhe në vigjilje të vizitës në Washington”, ka ftuar liderët partiakë për një takim të përbashkët të forumit të liderëve, i cili do të mbahet nesër në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës.

Por, në këtë takim të iniciuar nga kryeministri Hoti, deri më tani partia më e madhe opozitare Vetëvendosje ka konstatuar se nuk do të marrë pjesë ngase e konsideron Qeverinë si të paligjshme./AA

OPINIONE

INTERVISTA