Kryeministri palestinez udhëzon ministritë për ndërprerjen e marrëdhënieve me SHBA-në dhe Izraelin

Kryeministri palestinez, Mohammad Shtayyeh, dha udhëzimin e zbatimit të vendimeve të marra nga presidenti Mahmoud Abbas për ndërprerjen e marrëdhënieve me Izraelin dhe SHBA-në.

Sipas lajmit të agjencisë palestineze të lajmeve WAFA, në mbledhjen e jashtëzakonshme të kabinetit që u zhvillua mbrëmë të gjithë ministrive iu dha udhëzimi për të marrë masat emergjente dhe për të hedhur hapa konkretë lidhur me vendimet e marra nga Abbas.

Në një deklaratë nga llogaria e tij në Facebook, Shtayyeh theksoi se qeveria që ai drejton mbështet vendimin e Abbas lidhur me përfundimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara me SHBA-në dhe Izraelin.

“Aneksimi i territoreve palestineze nënkupton shkeljen e marrëveshjeve të nënshkruara dhe kërcënimin e sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare”, tha Shtayyeh, duke shtuar se aneksimi reflekton programin e qeverisë së koalicionit në Izrael i cili punon në mënyrë sistematike për mos formimin e shtetit të Palestinës.

Shtayyeh i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të përmbushë përgjegjësitë e tij dhe të sigurojë mbrojtje ndërkombëtare për popullin e Palestinës.

Një natë më parë Abbas u takua me zyrtarë të lartë të Palestinës për të biseduar rreth hapave që do të ndërmarrin kundër planit të Izraelit për aneksimin e Bregut Perëndimor. Në një fjalim të mbajtur në takim Abbas njoftoi se nuk do t’i përmbahen marrëveshjeve dhe dakordësimeve të arritura me Izraelin dhe SHBA-në, përfshirë edhe marrëveshjet e sigurisë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne