Kryeministri Sunak konfirmon: Mbretëria e Bashkuar cilëson “organizatë terroriste” grupin Wagner

Kryeministri britanik, Rishi Sunak, ka konfirmuar se Mbretëria e Bashkuar po e cilëson grupin mercenar rus Wagner si një “organizatë terroriste”, transmeton Anadolu.

Sunak ka konfirmuar se Britania sot po e ndalon grupin Wagner, që do të thotë se nga sot do të jetë e paligjshme të jesh anëtar ose të mbështesin grupin mercenar rus.

“Është mënyra e duhur që sot ne po e ndalojmë grupin për atë që është, një organizatë terroriste”, shkroi Sunak në rrjetet sociale.

Duke akuzuar grupin për kryerjen e “torturës, vjedhjes dhe barbarizmit”, kryeministri britanik tha se përmes veprimeve të tilla grupi po “kërcënon demokracinë dhe lirinë në mbarë botën”.

Sot më herët sekretari britanik i mbrojtjes i sapoemëruar, Ben Wallace, tha se ai është “i kënaqur” nga masa.

Mbrëmë, sekretarja britanike e brendshme, Suella Braverman, tha se grupi Wagner është i “dhunshëm dhe shkatërrues”.

“Aktivitetet e vazhdueshme destabilizuese të Wagner-it vazhdojnë t’u shërbejnë vetëm qëllimeve politike të Kremlinit. Ata janë terroristë, qartë dhe thjeshtë. Dhe ky urdhër ndalimi e bën të qartë në ligjin e Mbretërisë së Bashkuar”, tha Braverman.

Emri i grupit privat rus tani do t’i shtohet listës së Mbretërisë së Bashkuar të grupeve dhe organizatave terroriste të ndaluara.

Muajin e kaluar, ‘Financial Times’ duke cituar burime të brendshme të qeverisë raportoi se “brenda javësh” Mbretëria e Bashkuar do të ndalojë grupin Wagner si një “organizatë terroriste” në kuadër të një goditjeje të re ndaj rrjetit mercenar rus.

Grupi Wagner u themelua në vitin 2014 nga Yevgeny Prigozhin, i cili humbi jetën në një aksident avioni më 23 gusht. Këtë qershor grupi organizoi një rebelim jetëshkurtër kundër qeverisë ruse, duke marshuar drejt Moskës përpara se të kthente prapa trupat e saj./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne