Sigurimi privat i shëndetit mbulon vetëm 1.3% të shpenzimeve shëndetësore të familjeve shqiptare

Sigurimi privat i shëndetit është i vetmi ndër produktet e sigurimit në rënie për këtë vit.

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), për shtatë muajt e parë të vitit 2023, primet e shkruara bruto në sigurimin e sëmundjeve kishin vlerën e 507 milionë lekëve, në rënie me 4.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Edhe vitin e kaluar ky produkt kishte shfaqur një ecuri të zbehtë, me një rritje vjetore të primeve prej 3.7%, ndër më të ulëtat në tregun e sigurimeve për vitin e kaluar.

Drejtuesit e kompanive të sigurimit e shpjegojnë ecurinë e dobët të këtij segmenti të tregut me disë faktorë.

Sipas tyre, modeli i financimit publik të shëndetësisë që ndjek Shqipëria nuk e favorizon shumë zhvillimin e tregut privat të sigurimit të shëndetit. Siguruesit mendojnë se, për sa kohë shqiptarëve u premtohet shëndetësi falas, ato nuk do të jenë të nxitur të blejnë sigurim privat, për të siguruar marrjen e shërbimit shëndetësor me standarde më të larta.

Duke iu referuar anketës së buxhetit të familjeve të INSTAT, për vitin 2021 (viti më i fundit i disponueshëm në statistika) shqiptarët shpenzuan afërsisht 42 miliardë lekë për shëndetin. Një shumë e tillë përbënte 5.4% të buxhetit mesatar të familjeve shqiptare.

Megjithëse në teori skema e detyrueshme e sigurimeve shëndetësore duhet të ofrojë mbulim të plotë shëndetësor ose “shëndetësi falas”, në praktikë familjet shqiptare vazhdojnë të shpenzojnë shuma të mëdha nga xhepi i tyre për shëndetin. Deri tani, sigurimi privat nuk po rezulton dot si zgjidhje e suksesshme për këtë problem.

Gjithmonë për vitin 2021, kompanitë e sigurimit paguan 532 milionë lekë dëme në produktin e sigurimit të shëndetit. Kjo shumë përfaqëson më pak se 1.3% të shpenzimeve të përgjithshme të familjeve shqiptare për shëndetin. Një raport i tillë tregon qartë shkallën shumë të ulët të mbulimit me sigurime shëndetësore private.

Një problem tjetër, sipas burimeve, është edhe rritja e çmimeve të shërbimeve shëndetësore private, sidomos në të atyre spitalore. Rritja e çmimeve ushtron presione edhe mbi primet, që në vitet e fundit kanë shfaqur një tendencë drejt shtrenjtimit, edhe për t’iu përgjigjur shtrenjtimit të çmimeve të spitaleve private.

Të dhënat e Autoriteti të Mbikëqyrjes Financiare nuk ofrojnë informacion të veçantë për produktin e sigurimit të shëndetit, megjithatë, ato tregojnë se bilanci i llogarisë teknike për produktet e shëndetit dhe aksidenteve në përgjithësi gjatë viteve të fundit ka qenë pozitiv.

Rezultati financiar si diferenca mes të ardhurave dhe shpenzimeve nga këto produkte vitin e kaluar ishte pozitive në vlerën e 107 milionë lekëve, niveli më i lartë i pesë viteve të fundit. Raporti dëme/prime neto rezultoi në nivelin 46.71% (50.39% në 2021), ndërsa raporti i kombinuar i dëmeve dhe shpenzimeve të tjera me primet rezultoi 93.15% (nga 98.24% në 2021)./monitori

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne