Kulla pas TKOB, deputeti i PD lëshon akuzën: Shumica e kompanive ndërtuese s’kanë kapacitete financiare

Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula iu është bashkuar reagimeve sa i takon ndërtimit të kullës pas Teatrit të Operas dhe Baletit. Ai theksoi se shqetësimin për ndërtime të tilla ai e ka ngritur që në prill të këtij viti.

Sula u shpreh se në parlament ka treguar se shumica e kompanive që marrin lejet e ndërtimit nuk kanë burim financiar për të realizuar këto ndërtime, ndërsa shumica nuk kanë marrë as kredi në bankat e nivelit të dytë.

Ai shtoi se SPAK duhet të inkurajohet bazuar në këto fakte për të ndjekur paratë për të shkuar në themelin e problemit dhe për të shpëtuar hapësirat publike nga betoni.

Postimi i plotë:

Dy nga rreziqet qe i kanosin Shqipërisë kullat prej betoni dhe çeliku.

????Më 13 prill të këtij viti kur kulla gjigande që do ndërtohet pas Teatrit të Operas dhe Baletit ishte në fazë projekti, në Parlament ngrija shqetësimin për rrezikun; miliona metër katrorë leje ndërtimi për 10 kompani. Shumica prej tyre nuk kanë burim financiar për të realizuar këto ndërtime. Edhe më keq akoma, shumica prej tyre nuk kanë marrë as kredi në bankat e nivelit të dytë.

“Ndiq Paranë”, kjo është ajo që këshillohet për ti shkuar në fund paligjshmërisë.

Zhurma e momentit tani kur çdo gjë është bërë fakt dhe lulishtja ku do ndërtohet kulla është rrethuar mund të jetë pak populiste, por ajo nuk u zgjidh problemet.

Ndaj që të shpëtojmë edhe hapësirat e gjelbërta të parqeve dhe lulishteve të Tiranës dhe Shqipërisë duhet të shkojmë pak më në brendësi të problemit.

A kanë kapacitete financiare kompanitë e mëdha në Shqipëri për të ndërtuar kulla me vlerë deri në 200 milionë euro?! Nëse nuk kanë, a kanë marrë kredi për financimin e projektit? Nëse edhe këtë element nuk e kanë ezauruar (që siç qarkullojnë informacionet, nuk e kanë ezauruar), atëherë nga i gjejnë paratë?

Këtu duhet të inkurajojmë SPAK dhe ta mbështesim që të ndjekë paratë. Vetëm kështu i shkohet në themel problemit dhe shpëtojmë edhe hapësirat publike nga betoni por edhe dalim nga lista gri e moneyval që na konsideron si “parajsë e pastrimit të parave”/TPZ

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne