Kullë te Muzeu Historik Kombëtar? Plani Francez dhe struktura e xhamit që përmendi Rama te ndërtesa që po mbyllet për 4 vite

Muzeu Historik Kombëtar do të mbyllet për 4 vite. Në një njoftim të shkurtër pa dhënë kurrfarë detaji, institucioni njoftoi palët e interesit se nuk do të mund ta vizitojnë deri më 15 mars 2028.

“Të nderuar drejtues të agjencive turistike, drejtues të tureve kulturore dhe palë të tjera të interesuara, ju bëjmë me dije se:  Në kuadër të zbatimit të projektit “Restaurimi, rikonstruksioni dhe muzealizimi i Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë”, Muzeu Historik Kombëtar do të jetë i mbyllur për vizitorët për periudhën 15 Mars 2024 deri më datë 15 Mars 2028” thuhej në njoftimin e Muzeut Historik Kombëtar.

Akuzat e PD-së

Partia Demokratike, drejtuar nga Sali Berisha, akuzoi sot përmes anëtarit të kryesisë, Grigels Muçollari, se qeveria ka vendosur të kyçë muzeun më të madh në vend, dhe e bën këtë duke kyçur edhe informacionin për qytetarët, të cilin e ka detyrim. Cili është projekti, pse mbyllet muzeu, sa do të kushtojë, kush e ideoi, kush e bën, kush e financon, pse? e me radhë.

Sipas PD-së, kjo fshehtësi lidhet me dy gjëra: ose firma e thjeshtrës ‘Casanova Hernandez’ që ka restauruar ballinën e Muzeut, do të marrë në dorë edhe pjesën tjetër të një projektit multimilionësh, ose Muzeu do shembet për ti lënë vendin një kompleksi kullash.

“Mos u habisni nëse, ashtu si me Teatrin Kombëtar, së shpejti, me të njëjtin model, të shihni një kullë me biznese për miqtë e partisë në kat të parë, muze në kat të dytë, dhe rezidenca e zyra në katet e tjera.

Si Rama dhe Veliaj, të dy e kanë CV-në plot me objekte me kullë. Stadium me kullë, teatër me kullë, pse jo edhe një muze me kullë. Pa kullë nuk mbyllet pazari. Pretekste gjejnë plot. Tërmeti, lagështia, vjetërsia, kalbësia, e të tjera.

Mos harroni edhe një element të ri: dyshes kleptokrate Rama-Veliaj i shtohet edhe një ‘dorë e vjetër’ e kullave dhe digave, një kleft i stërvitur, Blendi Gonxhja, si ministër i Kulturës dhe Financave.

Me këta të tre, mbyllja pa transparencë e muzeut më të madh në vend nuk mund të jetë tjetër veçse një projekt zhvatjeje, me apo pa kullë, nuk ka rëndësi.

Partia Demokratike kërkon publikisht dhe për hir të interesit publik:

1) Sqarim të menjëhershëm nga autoritetet që vendosën mbylljen: Mbi cilën ekspertizë dhe me cilën konsulencë është bërë?

2) Angazhimin e vëmendjes së opinionit publik dhe nxitjen e aktorëve të shqetësuar për trashëgiminë kulturore dhe muzeale, që bashkë me organizatat e shoqërisë civile, të bëhen të gjallë e të veprojnë brenda rolit të vet!

3) në mungesë të transparencës, fillimin e menjëhershëm të hetimeve nga organet përgjegjëse.

Vënia e Muzeut Kombëtar të shqiptarëve ne dispozicion të firmës së thjeshtrës së Kryeministrit për katër vjet është tallje publike me qytetarët.

Kujtojmë se vetëm për restaurimin e ballinës së Muzeut janë paguar 13 milion euro dhe, si shumë projekte të tjera në fushën e ndërtimit dhe arkitekturës, i ka shkuar studios ‘Casanova Hernandez’ dhe partnerit lokal ‘I RI’, të dyja firma të lidhura me thjeshtrën e kryeministrit.

Muzeu Kombëtar është pasuri publike, në rolin e vet si institucion apo si ndërtesë. Trajtimi si ent privat i familjes kryeministrore dëshmon degradimin e shtetit në duart e atyre që kanë në sy vetëm fitimet e pushtetit dhe privilegjet e tij.

Vendimet, e fshehta dhe familjare, për të ndërhyrë në peizazhin arkitektonik dhe urban të kryeqytetit, sipas modelit të firmave fap- e-fap, është një fyerje për kryeqytetasit, për taksapaguesit, për shqiptarët.

Mbyllja e Muzeut nuk është projekt në interes publik, por me siguri plan i Ramës së ikonave dhe dy gonxheve të tij politike për të ndryshuar Tiranën sipas oreksit dhe për ta ngopur oreksin monetar në kurriz të hapësirave dhe shpenzimeve publike”-deklaroi sot PD.

Projekti për Muzeun

Restaurimi i Muzeut Historik Kombëtar cilësohet si një projekt prioritar në dokumente por në veprime ecuria ka qenë shumë e ngadaltë deri në mbylljen e beftë që u njoftua këtë javë. Sipas dokumenteve Muzeu është pjesë e listës së institucioneve të trashëgimisë kulturore kombëtare që rezultoi me dëmtime pas vlerësimit të tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe me një nevojë për ndërhyrje.

“Projekti i ri i restaurimit dhe rindërtimit të Muzeut Historik Kombëtar integrohet në një projekt i vetëm teknik zgjidhjet teknike të kërkuara për restaurimin e dëmtimeve dhe të mundshme përforcimi i strukturave të dëmtuara me zgjidhjet teknike për restaurimin, rikonstruksionin, dhe rinovimi i godinës u fokusua në përditësimin e muzeologjisë dhe funksionalitetit të saj. Projekti merr në shqyrtim të projektit të miratuar “Ndërhyrja përforcuese dhe rehabilitimi i 12 objekteve në Bashkinë Tiranë, Krujë, Lezhë, Kavajë, Mirditë: Muzeu Historik Kombëtar”, i cili lidhet. për problemet e shkaktuara nga tërmeti, i cili është miratuar me vendimin nr. 536, dt 24.12.2022” thuhet në dokument.” Thuhet në dokument.

I njëjti nënvizon se Muzeu Historik Kombëtar (MHK) ka në fondet e tij me objekte të trashëgimisë kulturore shqiptare. “Një pjesë interesante e të cilave i përkasin periudhave nga paleoliti deri në antikitetin e vonë (shek. IV p.e.s.). Këto janë ekspozuar në kuadër të Pavijonit të Arkeologjisë, i cili ka mbi 400 objekte në vetvete. Muzeu është konceptuar në mënyrë që prezantimi të bëhet përmes tetë pavioneve. – Pavijoni antik; ‐ Pavioni mesjetar; – Pavioni i Rilindjes Kombëtare; ‐ Pavioni i Pavarësisë; ‐ Pavioni i ikonave; ‐ Nacional-Çlirimi Anfashist Pavioni i Luftës; ‐ Pavioni i Terrorit Komunist; ‐ Pavioni Nënë Tereza. Statusi i “Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë”” thuhet në dokument.

Nëse i referohemi dokumenteve të procedurës ndërhyrja tek Muzeu parashikon disa faza si dhe afatet që do ketë secila prej tyre.

Kështu paketimi dhe evakuimi i objekteve (Kohëzgjatja e pritshme e punimeve: maksimumi 4 kumulative muaj në faza të ndryshme të periudhës së zbatimit.

Konsolidimi i strukturës ekzistuese (përfshirë punimet e prishjes) (Kohëzgjatja e pritshme e Puna: maksimumi 12 muaj).  Restaurimi i fasadës prej guri të oborrit të jashtëm dhe të brendshëm dhe dritareve/dyerve (Pritet kohëzgjatja e punimeve: maksimumi 9 muaj) Riparimi i çatisë (Kohëzgjatja e pritshme e punimeve: maksimumi 5 muaj).  Ndërkohë ndërhyrjet parashikojnë investime në eficiencë energjie si dhe respektim të euro kodeve.

Projekti i viteve më parë

Sipas një projekti të 4 viteve më parë, të risjellë nga TPZ.al, ndërtesa e tanishme e Muzeut Kombëtar është planifikuar të kthehet në një qendër argëtuese dhe tregtare. Në të do të ketë librari, kinema, sallë aktivitetesh, sallë eskpozitash, bare, restorante, dyqane.

Nëpër godinë do të ketë disa ekspozime etnografike, të realizmit socialist, dhe dokumente të periudhës së totalitarizmit në Shqipëri.

Në mes të godinës do të ndërtohet një strukturë xhami, në majën e së cilës do të ndërtohet një restorant “shik me ushqime shqiptare”.

Kullë te Muzeu Historik Kombëtar? Plani Francez dhe struktura e xhamit

Ja si e përshkruan, me nota romantike, Kryeministri Rama idenë e tij për ndërtesën e Muzeut Kombëtar:

“Muzeu i vjetër Historik, që lëngon si gërdallë barkzbrazur, gjynah e turp pas njëzet vjetësh nga rënia e komunizmit dhe Realizmit Socialist.

Riprogramohet si një hapësirë e gjallë e trashëgimisë kulturore e historike, […] nga shtresa e parë e objekteve origjinale arkeologjike në hyrje, te zona e tregtimit të librit shqip në mjedisin e katit të fundit, ku shkohet duke kaluar me një rend të studiuar mirë përmes shëmbëlltyrave më të vyera të kulturës etnografike, veprave më përfaqësuese të artit bizantin, një koleksion permanent origjinalesh të Realizmit Socialist, kombinuar me dëshmi autentike të terrorit totalitar, të ndërthurura me dhoma projeksionesh, filmime, burime të aksesueshme për publikun të informacionit të thelluar dixhital, pika shitje të botimeve e suvenireve nga udhëtimi brenda muzeut, kënde relaksi e bare të vogla, një sallë konferencash moderne dhe po ashtu një mjedis ekspozitash të përkohshme, si dhe një bibliotekë dixhitale e gjithçka gjendet e shkruar në gjuhën shqipe, së bashku me një restorant shik ushqimesh tradicionale”./Tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne