Kurti takohet me kryeministrin e Luksemburgut

Kurti theksoi rëndësinë e integrimit evropian, përfshirë kërkesën e Kosovës për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE dhe progresin drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Kryeministri në detyrë i Kosovës në kuadër të pjesëmarrjes në Samitin e Komitetit Politik Evropian (EPC) ka zhvilluar një takim bilateral me kryeministrin e Dukatit të Madh të Luksemburgut, Luc Frieden.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, gjatë takimit, kryeministri në detyrë Kurti shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Luksemburgut ndaj Kosovës, duke veçuar kontributin e çmuar në sektorin e shëndetësisë dhe fusha të tjera kyçe të zhvillimit.

Bashkëbisedimi u përqendrua gjithashtu në zhvillimet aktuale politike dhe prioritetet strategjike të Kosovës në raport me integrimin evropian. Kurti theksoi rëndësinë e avancimit të mëtejmë në këtë proces, përfshirë kërkesën e Kosovës për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe progresin drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Në përmbyllje, Kurti falënderoi homologun e tij për përkrahjen e vazhdueshme të Luksemburgut ndaj Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke riafirmuar gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe koordinimin në forume shumëpalëshe me interes të përbashkët./trtbalkan

NDANI KËTË POSTIM

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Mund tju interesojne