Raportet thonë se zyrtari i lartë i Hamasit, Khalil al-Hayya, ishte shënjestra kryesore e sulmit të Izraelit në Doha. Por kush është al-Hayya dhe çfarë roli luan ai brenda Hamasit?
Al-Hayya ka marrë një rol më të madh në grupin palestinez pas vrasjes së liderëve Ismail Haniyeh dhe Yahya Sinwar vitin e kaluar, duke udhëhequr negociatat për armëpushim si kryenegociator dhe duke vepruar si kreu në mërgim për çështjet e Gazës nga Doha.
Al-Hayya ka lindur në Gaza në vitin 1960 dhe është pjesë e Hamasit që kur grupi u themelua në vitin 1987. Ai ka humbur disa anëtarë të familjes nga sulmet izraelite, përfshirë edhe djalin e tij.
Në vitin 2007, një sulm ajror izraelit goditi shtëpinë e familjes së tij në lagjen Sejaiyeh të qytetit të Gazës, duke vrarë disa prej të afërmve të tij, dhe gjatë luftës së vitit 2014 mes Hamasit dhe Izraelit, u bombardua shtëpia e djalit të tij më të madh, Osama, ku mbetën të vrarë ai, bashkëshortja e tij dhe tre nga fëmijët e tyre. Al-Hayya nuk ndodhej aty gjatë këtyre sulmeve.
Ai u largua nga Gaza disa vite më parë dhe është vendosur në Doha, duke u bërë një nga anëtarët më me ndikim të Hamasit jashtë vendit dhe një figurë kyçe për lidhjet me botën arabe dhe islame./gazetaimpakt/aljazeera
















