Kush është kundër VETËVENDOSJE!’s?

Shkodran HOTI

Ata që kanë kritikuar, ata që kanë sajuar lloj-lloj shpifjesh e ata që s’kanë lënë gjë pa thënë për VETËVENDOSJE!’n, nuk janë vetëm akterë të pushtetit. Janë edhe përfituesit e shfrytëzuesit e priviligjeve nga pushteti, në forma të ndryshme. Mund te jenë edhe njerëz të thjeshtë që rrijnë para ekraneve të kompjuterit apo të smart phone’ve, dhe për arsye të ndryshme apo edhe pa asnjë arsye, vjellin vrer ndaj njerëzve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, e besa fare lehtë edhe mund të kërcënojnë edhe me jetë, siç qe rasti i fundit ndaj Dardan Molliqajt. Kjo ndodh sepse policia e drejtësia nuk e ka gatishmërinë që t’iu bie në adresë këtyre kërcënuesve ,siç ishte e gatshme ta arrestojë e dënojë djaloshin Alban Morina, që kishte kërcënuar përmes facebook’ut djalin e kryeministrit Mustafa dhe ministrin Arban Abrashi. Sidoqoftë, e mira e madhe në këtë mes është që të gjitha këto nuk e ndalin e as nuk e zmbrapsin organizatën tonë.

Jam përpjekur shpesh t’i analizojë kritikuesit e kauzave tona apo komplet veprimtarisë sonë, e që jo rrallë shkojnë aq larg sa të vënë në pikëpyetje angazhimin tonë, pra nuk e kam fjalën në asnjë moment për ata që bëjnë kritikë të njëmendtë, që e bëjnë këtë nga shqetësimi i vërtetë apo dashamirësia. Kam përshtypjen se si Lëvizje VETËVENDOSJE! duhet ta bëjmë të qartë se jo të gjitë mund të gjykojnë veprimtarinë tonë, në kuptimin që nuk arrijnë ta bëjnë këtë, e jo pse s’guxojnë ta bëjnë.

Ata që kanë lexuar nga filozofia antike greke, sigurisht që iu ka rënë në dorë dialogu platonik “Georgias”, ku Sokrati orvatet ta gjejë bashkëbiseduesin apo mikun e përsosur, i cili do të mund t’i gjykonte pikëpamjet e tij, qëndrueshmërinë apo vërtetësinë e tyre. Dhe mu për këtë,

bashkëbiseduesi – sipas Sokratit – do të duhej të plotësonte tre kushte, të cilat ishin si në vijim:

1) të ishte i ditur / i mençur, 2) të kishte vullnet të mirë, dhe 3) të kishte guxim. Pra, në këndvështrimin e tij, vetëm kush përmbushte këto tre kritere, mund të bënte dallimin e së mirës nga e keqja dhe mund të fliste me kompetencë mbi pikëpamjet e tij.

Për ta kontekstualizuar me aq sa di e mundem, duhet thënë fillimisht që secili aktivist i angazhuar pranë Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ndonëse mund edhe të mos e këtë lexuar këtë dialog platonik, e mbase asgjë nga filozofia, e ka të qartë se në organizatën tonë janë pikërisht dija, vullneti i mirë dhe guximi, tre cilësi që kultivohen me kujdes të shtuar, pa hequr dorë asnjëherë nga asnjëra. Madje, vetëm duke qenë të ditur, me vullnet të mirë e me një guxim të jashtëzakonshëm, aktivistët e kanë sjellë organizatën këtu ku është sot, pa iu trembur në asnë moment pushtetit.

Nga ana tjetër, ata që në vazhdimësi e kanë parë më skepticizëm VETËVENDOSJE!’n, e si pasojë e kanë kritikuar pa vend, kanë shpifur për të apo edhe e kanë luftuar në format e tyre – theksoj prapë: këtu s’hyjnë kritikët dashamirës – iu kanë munguar një apo dy nga cilësitë e larpërmendura, nëse jo të gjitha. Pra, po flasim për njerëz të paaftë për të dhënë gjykim për cilindo veprim të organizatës sonë, për njërëz që kurrë nuk ia kanë dashur të mirën Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe njerëz që nuk e kanë guximin ta thonë në secilin rast apo mbase kurrë që e bardha është e bardhë, kurse e zeza është e zezë.

Në fillim, shikuar nga secil kënd, është e pakontestueshme konsistenca e Lëvizjes VETËVENDOSJE! përgjatë gjithë ekzistencës së saj. Është e pamohueshme thellësia e mendimit politik të cilin e ka sjellë në skenën politike, sikurse paralajmërimi për çdo rrezik që i është kanosur Republikës së Kosovës nga qeveritë që kishte në krye. Sigurisht që sot, i padiskutueshëm është edhe fakti që koha i ka dhënë të drejtë zgjidhjeve të sugjeruara nga ne për shumicën e çështjeve, gjersa në anën tjetër, është dokumentuar edhe jokonsistenca, edhe cektësia, e janë nxjerrë në pah gjitha kontradiktat e atyre që e paraqisnin si të gabuar botëkuptimin tonë politik. Ndonëse, ne, për bindjet tona jemi burgosur, jemi etiketuar në gjitha mënyrat, e ka edhe nga ata që janë vrarë, derisa “kampi i të paditurve” nuk ka sakrifikuar as më të voglën gjë, e sot nga ta nuk vijnë as kërkimfaljet apo pendesa për huqjet e tyre aq të shumta e të vazhdueshme.

Së dyti: vullneti i mirë. Nuk është mëkat të mos e duash Lëvizjen VETËVENDOSJE!. E papranueshme është të shtiresh se e do, dhe më tej, të manipulosh duke bërë më gisht ndaj saj për plot gjëra të paqena, e duke thënë tutje se këtë po e bën sepse do që ajo të mos gabojë. Askush, asnjëherë, nuk është i obliguar të na tregojë pse nuk e do atë që proklamojmë ne, por, nëse ka tendencë për të moralizuar nga ata që pak të ua heqësh pluhurin, iu vërehen aq qartë kundërthëniet morale, kjo s’kapërdihet dot. Për të mos e zgjatur, kësaj situate më së miri do t’i përgjigjej ajo thënia popullore: “T’kisha ble shtrejt mos t’kisha njoft”.

Dhe së treti është çështja e guximit, që nëse duam ta definojmë fillimisht, referenca ime e preferuar është nga filozofi francez Alain Badiou, i cili në trajtimin që bën, sugjeron një dialog të Platonit, i cili i dedikohet tërësisht kësaj çështje – dialogu Lakes. Në përkufizimin e tij, Badiou fillimisht thotë se ia ruan guximit statusin e virtytit, dhe më pas e përkufizon atë si virtyti që shpaloset brenda së pamundshmes, duke bërë tutje dallimin mes guximit dhe heroizmit, me ç’rast thotë se e pamundshmja nuk duhet vetëm të takohet, por edhe të përvojohet sepse në rast që vetëm takohet kemi të bëjmë me heroizëm, e jo me guxim . Pra, siç thotë Badiou, guximi dallon nga heroizmi sepse është virtyt, që ndërtohet, e jo çast apo qëndrim.

Në Lëvizjen VETËVENDOSJE! është ndërtuar guximi, dhe thënë në gjuhën e Badious: Ne kemi qëndruar brenda të pamundshmes. Ne kemi guxuar, nuk e kemi humbur asnjëherë guximin. Ndërsa, ata që neve na kanë cak për sulm kurdoherë, prapa të cilave mblidhen interesa të shumta, nuk kanë guxim, ose edhe nëse kanë pasur, janë ç-guxuar. Pra, edhe nëse dikush mund ta ketë dijen dhe vullnetin e mirë për t’i bërë ballë të keqes së pushtetit, frika për ta bërë ketë, duke mos qenë të sinqertë e duke mos guxuar ta thonë atë që mendojnë, janë të padenjë për të thënë çkado për ne, për organizatën tone aq të guximshme.

Me dijen që posedon, vullnetin e mirë që ka dhe guximin nga i cili s’heq dorë asnjëherë, Lëvizja VETËVENDOSJE! është e pandalshme. E gjitha më lart ishte një përpjekje modeste për të treguar se kush është Lëvizja VETËVENDOSJE!, e më shumë kush janë ata që nuk e duan atë./ periskopi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne