Rajoni

Kuvendi i Kosovës mban seancë solemne për nder të Ditës së Çlirimit

Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancë solemne me rastin e 12 Qershorit – Ditës së Çlirimit të Kosovës, duke kujtuar kontribuesit e lirisë dhe pavarësisë së vendit.

Në këtë seancë për shkak të pandemisë me koronavirusin e ri (COVID-19) nuk kanë marrë pjesë shumë mysafirë vendorë e të huaj, familjarë të dëshmorëve e familjarë të të zhdukurve në luftë, veteranë të luftës, ish-deputetë, e mysafirë të huaj që kanë kontribuar për lirinë e Kosovës.

Për shkak të pamundësisë për pjesëmarrje në seancë janë emetuar para deputetëve video me mesazhe urimi nga miq të jashtëm dhe kontribues të lirisë së Kosovës.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se koronavirusi ka pamundësuar të marrin pjesë në këtë seancë gjithashtu edhe trupa e Misionit të Forcave Paqeruajtëse në Kosovë (KFOR). Osmani tha se ishin aleancat e Kosovës me shtetet tjera, ato që luajtën rol të rëndësishëm në liri.

“Aleancat historike të ndërtuara ndër vite ishin bazë e fortë që në orët e liga në të cilat kaloi Kosova, të luajnë jo vetëm rol historik por edhe ta rinisin jetën. Këto aleanca na shpëtuan nga zhbërja, prandaj sot jemi këtu në këtë përvjetor edhe falë tyre dhe u përulemi me pietet”, tha ajo.

Në përvjetorin e 21-të të kësaj dite, Osmani ka kujtuar në mënyrë të veçantë fëmijët e rënë në luftën e fundit në Kosovë.

“Kosova ka numrin më të madh të fëmijëve të vrarë e të masakruar në raport me numrin e banorëve krahasuar me gjithë luftërat tjerë në territorin e ish-Jugosllavisë. Prandaj dua sot që ta kthejmë vëmendjen nga këta 1.133 fëmijë, shumë prej tyre foshnje vetëm disa muajshe, disa javëshe në fakt”, tha Osmani e cila më pas solli shembuj konkret të fateve të tyre, për të cilët tha se do të “jenë peng i yni” përderisa aktorët e këtyre vrasjeve nuk do të përballen me drejtësinë.

Pas seancës solemne, deputetët së bashku mbollën në oborrin e Kuvendit disa lule kushtuar 1.133 fëmijëve të vrarë në Kosovë gjatë luftës.

Kujtojmë se më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë kanë zbarkuar trupat e para të këmbësorisë së Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), ndërsa ka nisur largimi i forcave serbe nga vendi. Sot, 21 vjet pas zbarkimit historik të NATO-s, rreth 5.000 trupa të tyre vazhdojnë të kontribuojnë në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt në Kosovë. Numri i tyre është zvogëluar vit pas viti, bazuar në vlerësimet e situatës së sigurisë./AA

OPINIONE

INTERVISTA