Bota

“Rregullorja mbi bazat britanike në Qipro injoron qipriotët turq”

Turqia sot deklaroi se rregullorja në lidhje me përdorimin e pronave private në pronësi të Bazave Sovrane Britanike në Qipro, “injoroi edhe njëherë qipriotët turq”.

Në vitin 2014, u nënshkrua një rregullore në lidhje me përdorimin e pronave private në pronësi të Bazave Sovrane Britanike midis Administratës qipriote greke dhe Mbretërisë së Bashkuar, e cila ka hyrë në fuqi.

“Siç kemi përmendur në kohën e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, është e papranueshme që Turqia si garant dhe pala qipriote turke që nënshkruan traktatet e vitit 1960 të mos jenë konsultuar me kohë për përmbajtjen e kësaj rregulloreje, që nënkupton një ndryshim të statusit në zonat e bazës”, tha Hami Aksoy, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, në një deklaratë.

“Mbretëria e Bashkuar, e cila është një garantuese ka injoruar qipriotët turq edhe një herë me zbatimin e kësaj rregulloreje dhe dëmtoi ekuilibrin midis palëve në ishull dhe parimin e barazisë politike dhe në këtë mënyrë edhe përpjekjet për zgjidhjen e çështjes së Qipros”, shtoi ai.

Britania operon me dy poste ushtarake, të quajtura Zonat e Bazës Sovrane në Qipron Jugore në Akrotiri dhe Dhekelia.

“Në këto zona, jo vetëm qipriotët grekë por edhe qipriotët turq kanë prona të paluajtshme si dhe të drejta dhe interesa të domosdoshme”, theksoi Aksoy duke shprehur mbështetjen e Turqisë për deklaratat e autoriteteve të Republikës Turke të Qipros Veriore (TRNC) për këtë çështje.

Në vitin 1974, pas një grushti shteti që kishte për synim aneksimin e Qipros nga Greqia, Ankaraja u detyrua të ndërhynte si një fuqi garantuese. Në vitin 1983 u themelua TRNC.

Dekada kanë kaluar duke regjistruar disa përpjekje për të zgjidhur mosmarrëveshjen e Qipros, por të gjitha përfunduan me dështim. E fundit, e zhvilluar me pjesëmarrjen e vendeve garantuese, Turqia, Greqia dhe Britania e Madhe, përfundoi në vitin 2017 në Zvicër./AA

OPINIONE

INTERVISTA