Ky Islam është mesele e garantuar, o njerëz!

Imam Muhamed B. Sytari

I Madhëruar qoftë All-llahu që i lidhi zemrat e besimtarëve të Tij me fijen e padukshme të dashnisë së sinqertë, që buron nga thellësitë e kulluara të ajetit kur’anor: “Dhe Ai është që bashkoi zemrat e tyre. Edhe sikur ta shpenzoshe gjithë atë që është në tokë, nuk do të mund t’i bashkoje zemrat e tyre, por All-llahu bëri bashkimin e tyre, pse Ai është i Gjithëfuqishëm, i Urtë.” – (El-Enfal: 63).

Është fije që s’e shkëput asgjë në këtë gjithësi! Nuk e vret plumbi i pabesë, nuk e shuan shpërthimi terrorist, nuk e rrëzon përpjekja dashakeqe, nuk e djegin luftrat barbare, nuk e lëkund instalimi i pavetëdijshëm i përçarjes së padukshme brenda familjes, as s’e dobëson keqpërdorimi i pasurisë së diversitetit në duar të njoma fillestarësh të mashtruar, as keqleximi në duar të padisiplinuara, që mendojnë se po bëjnë mirë!

Historia e 15 shekujve tanë ka kaluar në lëkurën e saj, sa nuk ka libër që e përmbledh, as regjistër që e arkivon!

Përtej kësaj, kemi dënuar dhe vazhdojmë të dënojmë me zemër terrorin e pabesë në Zelandë të Re, puçin dinak e tinzar në Turqi, bombardimet masakruese në Siri, zullumet barbare në Palestinë, shkatërrimin e mjerë në Irak, dhunimin e jetës dhe djegien për së gjalli të muslimanëve rohinga, tymin e shkatërrimit nga njëri cep i botës në tjetrin; kudo ku ka Islam dhe musliman, njësoj siç dënojmë pa asnjë hezitim, shoqëruar me lutje për udhëzim dhe dritësim të zemrës nga errësirat e urrejtjes patologjike, fjalorin provokativ e denigrues të shumëkujt në botën e sotme, histeria e të cilëve në vetvete, më ngjet me çoroditjen e pajustifikueshme të Ebu Xhehlit beduin, që hidhej e tërbohej, i prekur nga virusi i injorancës së hershme: “Unë jam më i mirë se ai”!

Ky Islam është mesele e garantuar, o njerëz! Ymetin islam s’e ç’bën dot as zjarri, as mëndafshi!

Jeta e njeriut është e shenjtë; si në Mekë, si në Paris, si në Londër, si në Dubaj, si në Damask, si në Kuala-Lampur, si në çdo cep ku frymon mëkëmbësi i Zotit, i miri Njeri!

Njësoj si e drejta e besimit dhe liria e përzgjedhjes së tij, në harmoni të plotë me tjetrin, kushdo qoftë tjetri, mjafton që është njeri, për të cilin Resulull-llahu (a.s.) lutej: “All-llahumme unë dëshmoj se Ti je All-llahu, nuk ka zot tjetër, pos Teje dhe se robët e Tu janë vëllezër!”, vëllazëria e thirrjes së shenjtë: “O ju njerëz..!”, shenjtëria e dëshmisë hyjnore: “Nuk ka dhunë në fé!”.

Ky mesazh i shenjtë hyjnor, në përbërje të cilit gjendet drejtësia dhe morali, pastërtia dhe harmonia, njerzilleku dhe bamirësia, ruajtja e dinjitetit njerëzor dhe e drejta e besimit, mbrojtja e nderit dhe shenjtërimi i jetës, vlerësimi i pasurisë dhe shpërblimi i altruizmit, nderimi i dijetarëve dhe liria e disiplinuar e fjalës, por jo vetëm; do përhapet anëmbanë botës, si fllad i freskët pranvere, që zemrat gjallëron me emrin e Zotit Një, paqen shpërndan dhe sigurinë garanton!

Prandaj, zgjohu o vlla, përhape të mirën që mban në shpirt, dëshmoje besimin dhe fenë tënde, duaji krijesat e Zotit për hatrin e Tij dhe shpërndaj kudo melhemin e shpresës se, një ditë do japim llogari para duarve të Krijuesit, ditën kur, para Tij do mblidhemi të gjithë..!

Shkodër, më 19 mars 2019

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne