Shqiperia

Laboratori misterioz anglez demaskon Babalen dhe parodistët e hashashit

Mediat raportojnë se Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë ngritur akuzë për Albert Veliun, njohur si Babalja dhe dy shtetas të tjerë, konkretisht Fredi Alizoti dhe gazetarin Jetmir Olldashi.

Top-Channel raporton se akuza është për kallëzim të rremë dhe sipas analizës së “laboratorit anglez”, Babalja ka mashtruar me akuzat për trafik droge për vëllanë e ministrit Xhafa, Agron Xhafa.
Nuk është e qartë se kush është ky laborator anglez, ndërkohë që thuhet se zërin e Agron Xhafës e ka imituar shtetasi Alizoti që del në skenë si pjesë e trios së parodistëve të hashashit.

Mbetet për t’u parë çfarë do thonë Veliu dhe Alizoti në dëshminë e tyre, por edhe gazetari Olldashi. Pra nëse ky skenar ka qenë i përgatitur apo jo, nëse është i vërtetë apo jo dhe nëse për të ka patur apo jo dijeni Partia Demokratike.
Nga ana tjetër ka disa anë të paqarta ky njoftim, pasi nuk thuhet emri i laboratorit ndërkohë që ai vjen kur qeverisë i ka mbetur në dorë çështja Xhisiela.

Njoftim nga Prok.per Krime te Renda:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, në datë 17.05.2018 ka regjistruar procedimin penal Nr. 95/v.2018 për vepren penale të “Trafikimit të narkotikëve” parashikuar nga neni  283/a i Kodit Penal.

Nga veprimet hetimore të kryera lidhur me vërtetësinë e audio-regjistrimit të bisedës së zhvilluar midis “Bashkëpunëtorit X” dhe “Agronit”  ekziston dyshimi që jemi para veprës penale të “Kallëzimit të rremë, në bashkëpunim” parashikuar nga neni 305/25 i Kodit Penal, e kryer në formën e  krijimit të provave të rreme me qëllim që të bëhen ndjekje penale.

Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda me vendimin Nr. 142 datë 06.10.2018 ka vendosur:

Caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg” për shtetasin Albert Veliu, si i dyshuar për kryerjen e veprat penale të “Kallëzimit të rremë” dhe “Kalimit të paligjshëm të kufirit” parashikuar nga nenet 305/25 dhe 297 të K. Penal.

Caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg” për shtetasin Fredi Alizoti, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Kallëzimit të rremë, në bashkëpunim” parashikuar nga nenet 305/25 i Kodit Penal.

Caktimin e masës së sigurimit “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për shtetasin Jetmir Olldashi, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Kallëzimit të rremë, në bashkëpunim” parashikuar nga nenet 305/25 i Kodit Penal.

Në datë 06.10.2018 janë ekzekutuar vendimet e Gjykatës.

OPINIONE