Av. Faik MIFTARI
Para se të elaboroj këtë letër të hapur, i bëjë thirrje ministrit të financave z. Hekuran Murati për një debat publik televiziv, por jam skeptik se jo vetëm që ai do të pranojë të ballafaqohet në debat publik, por edhe mediat televizive në Kosovë nuk do të mundësojnë një gjë të tillë pasi jemi duke përjetuar një censurë të paparë mediatike, e cila e ka tejkaluar sistemin e dikurshëm komunist.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës garanton lirinë e shprehjes të qytetarëve të Kosovës sipas nenit 40 par.1: “Liria e shprehjes është e garantuar. Liria e shprehjes përfshin të drejtën për të shprehur, për të shpërndarë dhe për të marrë informacione, mendime dhe mesazhe të tjera pa u penguar nga askush”.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës e ndalon censurën sipas nenit 42 par.2: “Censura është e ndaluar. Askush nuk mund të pengojë shpërndarjen e informacionit ose ideve nëpërmjet medieve, me përjashtim të rasteve kur një gjë e tillë është e domosdoshme për parandalimin e nxitjes dhe provokimit të dhunës ose armiqësive në bazë të urrejtjes racore, kombëtare, etnike ose fetare”.
Kushtetuta e Kosovës për dallim nga kushtetutat tjera kombëtare përveç se garanton lirinë e shprehjes të qytetarit, parasheh edhe ndalimin e censurës që është një hap më shumë drejt garantimit të lirive dhe të drejtave njerëzore.
Edhe pse me Kushtetutën e Republikës së Kosovës garantohet liria e shprehjes së qytetarit si dhe ndalohet censura, në praktikë në Kosovë në kohën e tanishme aktuale jo vetëm që nuk lejohet shprehja e lirë të depërtojë tek qytetari i Kosovës por është vënë një censurë totale në mediat televizive, rrjetet sociale dhe portalet, për të parandaluar mendimin e shprehur ndryshe lidhur me pandeminë e korona virusit COVID-19 dhe vaksinimin kundër COVID-19 në Kosovë.
Ministri i financave, Punës dhe Transfereve të Republikës së Kosovës, z. Hekuran Murati me datë 28 shtator 2021 ka nënshkruar vendimin për përcaktimin e kritereve lidhur me operacionalizimin e masës sipas pikës 3.1 të Pakos së Ringjalljes ekonomike e cila parasheh mbështetje për familjet që kanë humbur familjarin nga pandemia e korona virusit COVID-19.
Këtë vendim të ministrit z. Hekuran Murati çdo qytetar i Kosovës do të përshëndeste si një hap i rëndësishëm drejt zbutjes sadopak të shpenzimeve financiare që kanë shpenzuar familjet kosovare për shërimin e anëtarit të prekur nga infektimi me COVID-19, e i cili për fat të keq nuk ka mbijetuar dhe ka vdekur.
Por duke lexuar këtë vendim të ministrit z. Hekuran Murati, më ra në sy fjalia e cekur:” Vlen të theksohet që pas datës 1 Tetor 2021, ata që humbin familjarin nga infektimi me COVID-19 mund të përfitojnë mbështetje nga masa 3.1, vetëm nëse familjari i vdekur ka qenë i vaksinuar me të dy dozat e vaksinës kundër COVID-19”.
A thua ministri i financave me këtë vendim dëshiron të kthehet prapa në gjysmën e parë të shek. XX dhe të veprojë si pjesë e qeverisë naziste gjermane e cila ka bërë segregacionin e qytetarëve hebrenj, apo do të veprojë tani në fillim të shek. XXI si pjesë e kabinetit qeveritar kosovar, dal nga vota e lirë e qytetarit të Kosovës, për të shërbyer të gjithë qytetarëve të Kosovës pa bërë segregacion sipas përkatësisë politike, kombëtare, fetare, racore, gjinore, sociale, shëndetësore, etj.
Çdo qytetar i Republikës së Kosovës është i barabartë para ligjit, dhe në asnjë mënyrë nuk mund të diskriminohet nga askush, e lere më nga ana e ministrit të financave z. Hekuran Murati si pjesë e kabinetit qeveritar. Këtë të drejtë ia garanton Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në kuptim të nenit 22 dhe 23 të saj:
”Neni 23.:” Dinjiteti i njeriut është i pacenueshëm dhe është bazë e të gjitha të drejtave dhe lirive themelore të njeriut”.
Neni 24.: Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim”.
Ministri i financave z. Hekuran Murati me vendimin e nënshkruar me datë 28 shtator 2021 jo vetëm që e ka cenuar dinjitetin e njeriut, por njëkohësisht ka bërë segregacion, ndarjen e viktimave nga COVIDI-19 në të vaksinuarit dhe të pavaksinuarit, si dhe kushtëzimin e tyre për përfitimin e mbështetjes nga pakoja financiare sipas pikës 3.1 dedikuar vetëm për ata viktima që kanë vdekur si pasojë e infektimit nga COVID-19 që ishin të vaksinuar, ndërsa i lenë anash të gjithë ata qytetarë të tjerë që kanë vdekur nga COVIDI-19 e që nuk ishin të vaksinuar.
Ministri i financave z. Hekuran Murati jo vetëm që ka bërë shkeljen e Kushtetutës së Kosovës por ka shkel edhe Ligjin për mbrojtje nga diskriminimi në kuptim të nenit 1: “Qëllimi i këtij ligji është përcaktimi i një kornize të përgjithshme për parandalimin dhe luftimin e diskriminimit në bazë të kombësisë apo lidhjes me ndonjë komunitet, origjinës sociale apo kombëtare, racës, etnisë, ngjyrës, lindjes, origjinës, seksit, gjinisë, identitetit gjinor, orientimit seksual, gjuhës, shtetësisë, besimit fetar dhe besimit, përkatësisë politike, mendimit politik apo mendimeve të tjera, gjendjes sociale ose personale, moshës, gjendjes familjare ose martesore, shtatzënisë, lehonisë, gjendjes pasurore, gjendjes shëndetësore, aftësisë së kufizuar, trashëgimisë gjenetike ose ndonjë baze tjetër, me qëllim të zbatimit të parimit të trajtimit të barabartë”, dhe nenit 4 paragrafi 1 nënparagrafi 1.6: “Segregacioni konsiderohet diskriminim mbi bazat e përcaktuara në nenin një (1) të këtij Ligji, duke përfshirë mbrojtjen e çdo personi që nuk merr pjesë në një ankim për diskriminim po që i cili mendohet ta ketë bërë atë, i cili ndodh në rastet kur një ose disa persona veçohen nga të tjerët përmes personave fizik, juridik, ose me kombinimin e të dyjave, nga sektori publik, privat apo nga të dy sektorët, dhe ky veçim bëhet mbi një nga bazat e përcaktuara në nenin 1 (një) të këtij Ligji”.
Me këtë vendim të nënshkruar, një të mirë ka bërë ministri Murati, pasi që publikisht ka pranuar se nga korona virusi Covidi-19 po vdesin jo vetëm qytetarët e pavaksinuar por edhe qytetarët të vaksinuar, gjë që publikisht në konferencë për shtyp e ka pranuar kohë më parë, saktësisht me 7 tetor 2021, edhe ministri i shëndetësisë së Republikës së Kroacisë z. Vili Berosh, kur deklaroi që atë ditë si pasojë e COVID-19 kanë vdekur 8 qytetarë kroat, në mesin e tyre 3 viktima ishin të vaksinuar me të dy dozat kundër COVID-19.
T’ia përkujtoj ministrit Murati se sipas një studimit të kryer të fakultetit të mjekësisë të Universitetit të Washingtonit publikuar kohë më parë, theksohet se: “të gjithë ata qytetarët të cilët e kanë kapërcyer(tejkaluar) infektimin me COVID-19, kanë krijuar imunitet natyror ashtu që qelizat që janë të vendosura në palcën kurrizore tajojnë(krijojnë) antitrupa gjatë tërë jetës, të cilët do të rezistojnë ndaj infektimeve të reja eventuale me COVID-19. Kjo është dëshmi e fuqishme për imunitetin e krijuar afatgjatë”.
Në fund do e përmbyll këtë letër të hapur ministrit të financave z. Hekuran Murati, me ilustrimin se në shtetin e Izraelit dhe të Singapurit, në të cilin shkalla e vaksinimit të qytetarëve me dy doza ka arritur në përqindje prej 70-85% në njërën anë, ndërsa në anën tjetër edhe kurba(lakorja) e qytetarëve të prekur nga korona virusi COVID-19 ka arritur shkallën më të lartë nga fillimi i pandemisë pa marr parasysh a janë qytetarët të pa vaksinuar apo janë qytetarët të vaksinuar.
11.10.2021