Lëvizja Bashkë: Policia fshehu detajet për vdekjen e punëtorit, për shkak të oligarkut!

“Lëvizja Bashkë” ka reaguar për vdekjen e dy punëtorëve në kantiere të ndryshme ndërtimi në Tiranë dhe Kamzë. Në reagim bëhet një akuzë e rëndë, se policia ka fshehur detaje të ngjarjes në Tiranë, për shkak të një oligarku. 

“Më alarmuese është heshtja për aksidentin që ndodhi në qendër të Tiranës, ku të dhënat mbi viktimën dhe rrethanat e aksidentit janë fshehur. Policia jep vetëm një njoftim të shkurtër, por as emrin e plotë të viktimës dhe as kantierin e ndërtimit. Kjo ndodh për shkak të lidhjeve të pronarit, Ram Geci, një nga oligarkët më me ndikim të lartë, në strukturat qeveritare. Media ka zgjedhur të mbyllë sytë, duke i dhënë hapësirë vetëm narrativës së kontrolluar nga Policia e Shtetit, të cilët manipulojnë faktet për të fshehur të vërtetën”, thuhet në reagim.

REAGIMI I PLOTË: 

KUSH MBAN PËRGJEGJËSI PËR VDJEKJET E PUNËTORËVE?

Dje, në një ditë që shënoi një tjetër kapitull të zi në historinë e punës së rrezikshme në ndërtim, dy punëtorë humbën jetën në Tiranë dhe Kamëz. Ibrahim Shata, një punëtor nga Librazhdi, ra nga skela e një pallati në ndërtim pak ditë më parë në Kamëz dhe përfundoi tragjikisht në spital, ku dje edhe ndërroi jetë. Detajet rreth rënies së tij mbeten ende të paqarta, duke lënë familjen në dyshime nëse ai u rrëzua apo u godit nga vinçi i materialeve.

Si reagim, policia njofton se arrestoi administratorin e ndërtimit, Q. D., 47 vjeç, për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë, sipas nenit 289 të Kodit Penal.

Më alarmuese është heshtja për aksidentin që ndodhi në qendër të Tiranës, ku të dhënat mbi viktimën dhe rrethanat e aksidentit janë fshehur. Policia jep vetëm një njoftim të shkurtër, por as emrin e plotë të viktimës dhe as kantierin e ndërtimit. Kjo ndodh për shkak të lidhjeve të pronarit, Ram Geci, një nga oligarkët më me ndikim të lartë, në strukturat qeveritare. Media ka zgjedhur të mbyllë sytë, duke i dhënë hapësirë vetëm narrativës së kontrolluar nga Policia e Shtetit, të cilët manipulojnë faktet për të fshehur të vërtetën.

Lëvizja BASHKË u dërgon ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të punëtorëve të rënë në vendin e punës për të siguruar me ndershmëri bukën e gojës dhe bën thirrje për një mobilizim të gjerë të punëtorëve të ndërtimit. Vetëm këtë vit kanë humbur jetën 14 punëtorë në ndërtim. Është koha të ngriheni kundër abuzimeve dhe shkeljeve sistematike të të drejtave. Këto vdekje nuk duhet të mbeten numra në statistika të ftohta apo dosje të harruara në zyrat e Inspektoriatit të Punës.
Ne kërkojmë ndryshim të vërtetë dhe garanci që jeta e punëtorëve të vlerësohet më shumë se fitimet e oligarkëve./Tpz

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne