Liban, numri i fëmijëve të vrarë në 50 ditët e fundit tejkaloi 80 për qind të vdekjeve të vitit të kaluar

Zëdhënësi i Fondit të OKB-së për Fëmijët (UNICEF), James Elder tha se numri i fëmijëve të vrarë në 50 ditët e fundit në Liban i cili ndodhet nën sulme intensive të Izraelit, ka tejkaluar 80 për qind të vdekjeve të vitit të kaluar.

Elder ndau një postim në rrjetin social X në lidhje me vdekjet e fëmijëve në Liban.

Ai thekson se fëmijët në Liban po përjetojnë fazën më vdekjeprurëse të kësaj lufte. “Numri i fëmijëve të vrarë në Liban në 50 ditët e fundit ka tejkaluar 80 për qind të vdekjeve të vitit të kaluar”, tha Elder.

Zëdhënësi i UNICEF-it bëri të ditur se ka patur paralajmërime të qarta se për fëmijët do të përjetohej më e keqja. “Ata që kanë ndikim duhet të ndërmarrin të gjitha hapat e mundshëm për të detyruar një armëpushim”, tha Elder.

– Në sulmet e Izraelit në Liban kanë humbur jetën 3.287 persona

Ushtria izraelite, e cila që nga 8 tetori 2023 ka vazhduar konfliktin e kontrolluar me Hezbollahun, më 23 shtator nisi qindra sulme ajrore në qytetet jugore të Libanit si dhe në rajonet Beqaa dhe Baalbek.

Sipas të dhënave të Ministrisë libaneze të Shëndetësisë, 3.287 persona, përfshirë 203 fëmijë dhe 644 gra, janë vrarë ndërsa 14.222 të tjerë janë plagosur që nga 8 tetori 2023.

Lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, u vra në sulmet ajrore të ushtrisë izraelite në Bejrut më 27 shtator.

Ndërkaq, Hezbollahu i përgjigjet me predha dhe raketa Izraelit. Në këto sulme, të cilat kryesisht kishin në shënjestër bazat e ushtrisë në anën izraelite, nuk janë raportuar dëme të mëdha.

Për shkak të bombardimeve izraelite brenda vendit janë zhvendosur qindra mijëra njerëz.

Teksa vala e migrimit vazhdon nga pjesët jugore të vendit drejt kryeqytetit Bejrut dhe veriut, qeveria libaneze ka njoftuar se më shumë se 585 mijë persona kanë migruar në Siri./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Powered by WordPress