Liderja e Mianmarit hesht ndaj masakrave kundër myslimanëve

Fituesja e çmimit Nobel për paqe, Aung San Suu Kyi, fajësoi të mërkurën “terroristët” për “një mal keqinformimesh”, mbi dhunën kundër myslimanëve në shtetin Rakhine, por nuk përmendi fare rreth 140 mijë myslimanë rohingya, që ikën drejt Bangladeshit që nga 25 gushti dhe mijëra civilë myslimanë të masakruar nga ushtria e Mianmarit dhe nga budistët ekstremistë.

Udhëheqësja e vendit me shumicë budiste, u vu nën trysni nga vendet me popullsi myslimane, ndërsa sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tërhoqi vërejtjen për rrezikun nga spastrimi etnik dhe destabilizimi i rajonit. Sekretari Guterres shfaqi shqetësimin se dhuna mund të çojë në një katastrofë humanitare. Liderja e Mianmarit, Suu Kyi, foli në telefon me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, i cili u ka kërkuar udhëheqësve të botës të bëjnë më shumë për të ndihmuar popullsinë 1.1 milionëshe, që sipas tij, po përballet me gjenocid. Në një deklaratë të postuar në rrjetin Facebook, Suu Kyi tha se qeveria “tashmë ka filluar mbrojtjen e të gjithë qytetarëve në Rakhine në mënyrën më të mirë të mundshme” dhe tërhoqi vërejtjen kundër keqinformimit që mund të dëmtojë marrëdhëniet me vendet tjera. Suu Kyi është akuzuar që nuk ka ngritur zërin për masakrat kundër pakicës myslimane në Mianmar dhe janë shtuar thirrjet që asaj t’i hiqet çmimi Nobel për paqe që ajo e kishte fituar në vitin 1991. Ikjet e reja të myslimanëve rohingia, shumë prej tyre të sëmurë e të plagosur, kanë shterur burimet e agjencive të ndihmës që tashmë po ndihmojnë qindra mijëra refugjatë të ikur nga dhuna e mëhershme në Mianmar. Vlerësimet e fundit tregojnë se mbi 146 mijë myslimanë rohingia kanë ikur për shkak të dhunës. Kjo e çon në 233 mijë numrin e të ikurve që kërkuan strehim në Bangladesh që nga tetori i vitit të kaluar./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne