Ligji i ri shkarkon Rrumbullakun, 20 ditë afat për kandidatët për postin e Drejtorit të Përgjithshëm, policia në kolaps

Nga Rigels Seliman

Polica e Shtetit është vënë sërish në qendër të vëmendjes. Kështu profesor i kriminalistikës, Ervin Karamuço zbuloi në një media se një zhvillim i rëndësishëm pritet të prekë organizatën e policisë me ligjin e ri, i cili ka “shkarkuar” Muhamet Rrumbullakun nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm. Ky ligj, që ka për qëllim reformimin e strukturave të policisë dhe përmirësimin e menaxhimit të saj, ka shpallur gjithashtu një afat prej 20 ditësh për dorëzimin e kandidaturave për postin e lënë vakant. Kërkesa për kandidatët për postin e Drejtorit të Përgjithshëm do të jetë një nga sfidat më të mëdha për qeverinë dhe për institucionet përkatëse. Procesi i selektimit do të jetë i rëndësishëm për të siguruar që ky post të mbushet me një individ që ka aftësi dhe integritet të lartë për të përballuar sfidat aktuale dhe për të udhëhequr me sukses forcën e rendit publik në një periudhë të tillë të trazuar. Këto zhvillime janë një dëshmi e nevojës për reformë dhe përmirësim të strukturave të sigurisë, ndërsa do të kërkojnë një vëmendje të shtuar nga të gjitha palët e përfshira për të siguruar një sistem të drejtë dhe efikas. Ndërkohë theksojmë se kjo lëvizje vjen në një kohë kur Policia e Shtetit është duke përjetuar një situatë të rëndë kolapsi pas publikimit të përgjimeve të “SKY ECC”, ku dukshëm krimi bashkëpunon me zyrtarët më të lartë të policisë. Këto përgjime kanë zbuluar informacione të ndjeshme dhe të paprecedentë mbi aktivitetet e kriminelëve dhe përfshirjen e disa funksionarëve të lartë të policisë dhe jovetëm në veprimtari të paligjshme. Pas këtij skandali, autoritetet janë nën presion të madh për të adresuar problemet dhe për të rikthyer besimin në sistemin e rendit dhe sigurisë. Kështu që mbetet të shihet se kush do të jetë drejtori i ri i Policisë së Shtetit dhe se sa i aftë do të jetë ai që të çojë përpara procesin e pastrimit të policisë nga elementë të korruptuar dhe inkriminuar.

Rrumbullaku largohet brenda këtij muaji

Por më shumë detaje rreth kësaj çështje ka dhënë profesor i kriminalistikës, Ervin Karamuço, i cili ka deklaruar se kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku do të largohet nga posti i tij brenda këtij muaji. Sipas Karamuços, ministri i ri i Brendshëm, Ervin Hoxha e ka firmosur dje udhëzimin që përcakton kriteret se si do të zhvillohet konkursi për drejtorin e ri të Policisë së Shtetit. Zoti Karamuço shpjegoi se me largimin e Rrumbullakut, nga konkursi do të caktohet edhe drejtori i ri i Policisë së Shtetit për ta firmosur më pas kryeministri Rama. “Ministri i Brendshëm nuk ka formatin e paraardhësit të tij. Është një teknokrat, nuk është politikan. Ministri është një post politik që komunikon ose përmes medias ose me urdhra dhe udhëzime. Di që një akt e ka firmosur dje, është botuar në Fletoren Zyrtare, në bazë të ligjit për Policinë e Shtetit. Është udhëzimi i cili përcakton kriteret se si do të zhvillohet konkursi për drejtorin e ri të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, i cili ka lënë një afat 20 ditor. Brenda shtatorit mendoj dhe parashikoj do të kemi një drejtor të ri Policisë së Shtetit. Do të largohet Rrumbullaku dhe pastaj do të ketë një konkurrim dhe me vendimmarrje do të shkojë deri te kryeministri”, deklaroi ai.

Arrestime politikanësh

Nga ana tjetër profesor i kriminalistikës, Ervin Karamuço ka deklaruar se deri në muajin janar të vitit të ardhshëm do të ketë arrestime nga SPAK në radhët e politikanëve shqiptarë. Karamuço theksoi më tej se arrestimet mund të ndodhin deri në muajin janar dhe më pas mund të ndërpriten për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. “Për disa politikanë vazhdon hetimi pa iu komunikuar akuza, qoftë majtas dhe djathtas. Por deri në dhjetor, maksimumi në janar, sidomos aktet dhe veprimet që kanë të bëjnë me eksponentë të politikës do të jenë aktive sepse më pas ndërpriten për shkak të fushatës, që të mos ndikohet elektorati nga arrestimet që mund të ndodhin. Kjo do të shtyhet deri pas majit”, u shpreh Karamuço. Më tej ai vuri në dukje gjithashtu se paralelisht me procesin e hetimeve ndaj politikanëve edhe vetë pjesëtarë të sistemit të drejtësisë janë në objektivin e hetimeve pasi mund të kenë pasur kontakte me grupe kriminale. “Paralelisht me pjesën politike ne kemi një patate shumë të nxehtë në SPAK që është prova dhe testi më i madh. Janë persona që dalin me emra që kanë shkruar të cilët e kanë kaluar vetingun. Mbase nuk do të provohet kurrë se kanë përgjegjësi penale për gjërat që kanë bërë por provohet që kanë kontakte të papërshtatshme me grupe kriminale. Për këtë element ne kemi shkarkuar të tjerë nga procesi i vetingut. Kështu që ne na rrezikon i gjithë procesit të vetingut nga kjo. Media dhe një pjesë e shoqërisë civile i di, por ne duam veprime konkrete”, nënvizoi Karamuço në studio televizive./sot

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne